Abdixhiku: Çfarë është blerë me 100 euro vitin e kaluar, blihet me 150 euro sot

  • A.P /
  • 19 October 2022 - 17:53
Abdixhiku: Çfarë është blerë me 100 euro vitin e kaluar, blihet me 150 euro sot

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të largojë Tatimin në Vlerë të Shtuar (TVSH)-në në produktet e shportës familjare.

Abdixhiku, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se çfarë është blerë në fillimvitin e kaluar me 100 euro, po blihet tash me 150 euro

“Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend”, shkruan ndër të tjera ai.

Abdixhiku ia ka bashkëngjitur postimit disa fotografi që ilustrojnë rritjen e çmimeve të produkteve esenciale si në vijim: Çmimi i bukës – 46 për qind më i lartë, i miellit 59 për qind, kilogramit të sheqerit 57 për qind etj.

Postimi i plotë:

Çmimi i miellit, vajit, bukës, qumështit, vezëve, domateve, patateve, orizit, fasuleve, sheqerit, naftës, benzinës e energjisë elektrike, është rritur për plot 50% në njëzet muajt e fundit.

Çfarë është blerë me 100 euro në fillim të vitit të shkuar, duhet të blihet me 150 euro sot. Këto nuk janë produkte luksi, e as të zëvendësueshme s’janë. Janë pjesë thelbësore e shpenzimeve mujore për çdo familje në vend.

Heqja e TVSH-së vetëm për këto produkte elementare, s’dëmton buxhetin e vendit. Heqja e TVSH-së lehtëson dukshëm përballueshmërinë e kosovarëve në këtë krizë të paprecedentë.

Ky është propozimi ynë nga marsi i këtij viti. 

(Kosova Sot Online)