Kërkesa e Kinës për qytetarët e saj në Ukrainë

  • A.P /
  • 19 October 2022 - 23:00
Kërkesa e Kinës për qytetarët e saj në Ukrainë

Duke pasur parasysh rritjen e tensionit me bombardimet e fundit ruse në Kiev dhe qytete të tjera, disa vende u kanë kërkuar qytetarëve që të largohen nga Ukraina sa më shpejt të jetë e mundur.

Ky është edhe rasti i Kinës. Sipas medias kineze “Global Times”, do të jetë ambasada kineze në Ukrainë ajo që do t’i ndihmojë shtetasit që të largohen nga vendi i Evropës Lindore: “Ambasada do të ndihmojë në organizimin e evakuimit të njerëzve në nevojë”.

 

Pekini e shfaqi tashmë shqetësimin e tij në fund të shtatorit të kaluar, kur Rusia zyrtarizoi aneksimin e katër territoreve në Ukrainën lindore. Një lëvizje që Kina e kritikoi ashpër, sepse integriteti territorial është një aspekt kyç i politikës kineze në luftën e saj historike me territore si Tibeti, Xinjiang, Hong Kong apo Tajvan.

“Pozicioni i Kinës për çështjen e Ukrainës është konsistent dhe i qartë. Ne gjithmonë theksojmë se sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”, tha të premten Mao Ning, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze.

“Integriteti territorial i të gjitha vendeve duhet të respektohet”, shtoi Zhang Jun, ambasadori kinez në OKB.

Pavarësisht se është një nga mbështetësit e saj komercialë dhe madje ka mbrojtur Moskën në më shumë se një rast, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara për provokimin e Kremlinit për të filluar një luftë globale, Kina ka zgjedhur gjithmonë rrugën e dialogut si metodë për zgjidhjen e konfliktit të luftës në Ukrainë. “Kina është një vend mik për popullin ukrainas dhe si ambasador mund të them se ne do të jemi një forcë e mirë për Ukrainën, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht”, tha Presidenti kinez Xi Jinping, në mars.

Kina nuk ka qenë i vetmi vend që u ka kërkuar qytetarëve të saj të largohen nga Ukraina. Këtë vendim e kanë marrë edhe vende të tjera si Egjipti. Ambasada egjiptiane, në një deklaratë zyrtare, u kërkoi egjiptianëve që banojnë në Ukrainë të largohen nga vendi “menjëherë”.


(Kosova Sot Online)