Kush është “Popi”, i arrestuari i fundit si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviq

  • S.A /
  • 20 October 2022 - 12:57
Kush është “Popi”, i arrestuari i fundit si i dyshuar për vrasjen e Oliver Ivanoviq

I arrestuari i fundit nën dyshimet se ka marrë pjesë në organizimin dhe vrasjen e politikanit serb në Kosovë është një person me emër në veri të Kosovës. Millan Mihajloviq i cili njihet me nofkën “Popi” po dyshohet nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal dhe vrasje të rëndë, vepra këto që ndërlidhen me rastin e Oliver Ivanoviq.

“Popi” ka qenë në ndjekje nga organet e rendit e drejtësisë që nga viti 2019. Ai është arrestuar mbrëmjen e kaluar nga Policia e Kosovës. Ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale do të kërkojë edhe caktim të masës së paraburgimit. Por kush është “Popi”

Mihajloviq figuron edhe në listën e Thesarit të Departamentit të Shtetit, si person i sanksionuar së bashku me Zvonko Veselinoviq, Millan Radojiçiq e disa të tjerë.

Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja, në kuadër të këtij departamenti, publikoi në gusht të vitit të kaluar një listë të individëve dhe kompanive të tyre në vende të caktuara, që me një emër quhen “Shtetas të etiketuar në mënyrë të posaçme”.

Mihajloviq renditet i gjashti në këtë listë të ShBA-së.

“Popi” ka nënshtetësi serbe ndërsa ka jetuar në Leposaviq. Ai sipas dokumentit të publikuar nga Thesari i Departamentit të Shtetit është i lidhur me Zvonko Veselinoviq.

Ky i fundit i kishte prirë listës së personave që janë futur në listën e zezë.

Sipas Thesarit të Departamentit të Shtetit Zvonko Veselinoviqin dhe vëllain e tij, Zharko, kanë bërë marrëveshje me politikanët për t’i ndihmuar partitë e tyre që t’i fitojnë zgjedhjet dhe se u kanë dhënë para kandidatëve.

Në këmbim, politikanët u kanë dhënë vëllezërve Veselinoviq kontratat më të mira të infrastrukturës, informacione mbi pronësinë për t’i mbështetur investimet e tyre dhe kontroll mbi fusha të caktuara të biznesit të tyre, njoftoi Departamenti i Thesarit.

Në kohën kur Prokuroria Speciale kishte shpallur urdhër arrest ndërkombëtar për Milan Radojiqiq dhe Zvonko Veselinoviqin nën dyshimet se cilësoheshin udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, një urdhër arrest vendor ishte edhe për Milan Mihajloviqin të njohur si “Popi”.

(Kosova Sot Online )