Imami Berisha flet pas lirimit të vëllezërve Murturi: S’kam mbrojtje sigurie

  • A.P /
  • 20 October 2022 - 17:30
Imami Berisha flet pas lirimit të vëllezërve Murturi: S’kam mbrojtje sigurie

Imami Zeqir Berisha ka folur pas vendimit të Gjykatës Supreme për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj tre vëllezërve Murturi nga Lupçi i Podujevës të dyshuar për rrahjen e tij. Imami Berisha tha se nuk ndihet i sigurtë dhe do të kërkojnë ndihmë nga Policia për ta ruajtur kur të dalë për të shkuar në xhami.

Teksa u pyet për lirimin e vëllezërve Murturi, Imami Zeqir Berisha tha se nuk e di sesi i kanë liruar ata.

“Falë Zotit jamë më mirë me shëndet sesa më parë. Unë dua të them që nuk jam organ hetues i këtyre krimeve që kanë bërë qofshin këta apo të tjerët, unë kam dhënë intervistën në prokurori e kam cekë që të hetohet rasti, mirëpo nuk e di se si i kanë liruar nuk e di ku janë bazuar ata e dinë më së miri”, tha Berisha

Ai tha se është sulmuar prapa shpinës, aty ku ngjarjen nuk e kanë kapur kamerat e sigurisë. Imami shton se ka marrë kërcënime nga vëllezërit Murturi edhe në të kaluarën.

“Më kanë sulmuar në mënyrë tinzare pas shpine tek xhamia në vendin ku nuk e kanë fotografuar kamerat. Ata më kanë sulmuar prapa shpinës, i mbaj mend krismat në kokë pas shpinës, pastaj jam alivanos dhe s’kam pas vetëdije derisa më kanë çu në Emergjencë në Prishtinë. Dyshimet e para janë te vëllezërit Murturi sepse para gati dy vitesh njëri më ka kërcënu ne tëlëfon me rrahje e me përjashtim nga xhamia, pastaj në Ramazan më ka sulmuar njëri prej tyre, por falë xhematit nuk e kanë lënë të më godasë ai më ka kërcënuar me sharje me fyerje me gjuajtje të telefonit por nuk më ka qëlluar”, shtoi Imami 

Imami tha se vëllezërit Murturi kanë linjë vehabiste dhe i ka këshilluar që të mos e praktikojnë atë linjë.

|Këta po mundohen më bë ndryshime edhe me forcë”, tha ai.

“Unë pres që të vijë dita për aktakuzë të bëhet edhe gjykimi”, shtoi ai.

Imami u shpreh se nuk ndihet i sigurtë as nesër nëse shkon për ta falë xhumanë.

“Unë s’kam mbrojtje sigurie nga askush. Do të konsultohem edhe me policinë e Podujevës që unë nuk kam siguri me dalë edhe si xhemat për t’u falë. Nuk e di se si do të veprojnë mirëpo policia duhet me qene aty se mos po eskalon situata”, përfundoi ai.

Gjatë ditës së sotme media ka publikuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme përmes së cilit është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit.

Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se nga dy gjykatat nuk është dhënë “arsyetim për asnjë provë në të cilën mbështetet kallëzimi penal se të pandehurit B dhe A, Murturi kanë kryer veprën që u vihet në barrë”. Në aktgjykimin e Supremës thuhet se prokurori në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit “nuk ka arritë të përfshijë provat që mbështesin bazat e artikulueshmërisë për vazhdimin e paraburgimit, kurse edhe gjykatat e instancave më të ulëta në këtë drejtim nuk kanë dhënë arsyet e duhura”. 

(Kosova Sot Online)