Ekspertiza: Qeset që gëlltiti Lear Kurti ishin me kokainë, vdiq nga overdoza

  • E.K /
  • 21 October 2022 - 10:40
Ekspertiza: Qeset që gëlltiti Lear Kurti ishin me kokainë, vdiq nga overdoza

Ekspertiza ligjore ka zbardhur shkakun e vdekjes së 32 vjeçarit Lear Kurti të mërkurën pasi u shoqërua në komisariatin numër 3 nga efektivët e policisë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në këto analiza është vërtetuar se substanca e gjetur ishte e llojit kokainë.

Sipas ekspertizës i riu gëlltiti dy qese të vogla me kokainë të përmasave 5×5, të ngjashme me ato qeset që përdoren në farmaci për medikamentet. Sipas burimeve këto qese ishin të pakten 3 ose 4 doza kokaine. Sipas të dhënave nga ekspertiza Kurti e ka gëlltitut kokainën pak para se të kapej nga policët.

Sipas ekspertizës, shkak i vdekjes të Kurtit është arresti kardiak i shkaktuar nga overdoza.

Edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka deklaruar dje qesja që ndodhej në stomakun e 32-vjeçarit Lear Kurti është përcjellë prej tij në momentin që patrulla e policisë i kërkoi mjetet e identifikimit.

“ Nga autopsia e kryer në Institutin e Mjekësisë Ligjore, rezultoi se në stomakun e viktimës është gjetur një qese plastike e çarë me ngjyrë të bardhë me përmasa 5×5 cm, e dyshuar si ambalazh i lëndës narkotike, e cila i është nënshtruar ekzaminimit në Institutin e Policisë Shkencore. Gjithashtu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vijojnë ekzaminimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Nga analiza e kryer e provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, si pamje filmike, këqyrje dhe ekzaminime mjeko-ligjore, nuk evidentohen veprime të kundraligjshme të punonjësve të Policisë, gjatë dhe pas shoqërimit të shtetasit L.K., 32 vjeç.“, thotë AMP.

Si ndodhi ngjarja

Sipas AMP punonjësit e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, gjatë patrullimit në Rr. “Riza Çuka” në zonën e Laprakës kanë konstatuar 32 vjeçarin duke qëndruar përpara një biznesi privat, për të cilin kushtet dhe rrethanat diktonin nevojën e një verifikimi.

Në momentin kur punonjësit e Policisë, i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, ai është larguar me vrap. Pasi ka vrapuar për rreth 200 metra, i ndjekur nga patrulla e Policisë, mes rrugicave midis rrugës “Riza Çuka” dhe “Don Bosko”, ai është kapur dhe ndaluar nga punonjësit e Policisë, vend në të cilin kanë qëndruar 7 minuta. Më pas i riu është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ku ka shfaqur probleme shëndetësore gjë e cila ka diktuar dërgimin në Spitalin e Traumës. Dilema tjetër në këtë ngjarje është se AMP deklaron se Kurti vdiq në spital kurse spitali i Traumës thotë se i riu mbërriti i vdekur. Po kështu sipas grupit hetimor nuk janë konstatuar dëmtime, apo shenja dhune.

(Kosova Sot Online)