Shasha: Kosova fitoi që i besoi Gjermanisë, e jo Ballkanit të Hapur

  • E.K /
  • 22 October 2022 - 10:20
Shasha: Kosova fitoi që i besoi Gjermanisë, e jo Ballkanit të Hapur

Marrëveshjet e arritura në kuadër të Procesit të Berlinit për drejtorin ekzekutiv të Institutit Epik, Demush Shasha, janë sukses për Kosovën, e cila qëndroi jashtë Ballkanit të Hapur.

Përmes një shkrimi, Shasha thotë se Kosova ka pasur urtësinë dhe vizionin kur i ka besuar Procesit të Berlinit dhe lidershipit të Gjermanisë, e jo Ballkanit të Hapur dhe lidershipit të Serbisë.

“Rama donte të na bindte që më mirë është me i besuar Serbisë se Gjermanisë. Rama thoshte vetëm Ballkani i Hapur do të sigurojë lëvizjen e lirë në mes Kosovës dhe Serbisë, por Kosova siguroi lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve nga Serbia pikërisht duke qëndruar jashtë Ballkanit të Hapur”.

“Rama thoshte se vetëm Ballkani i Hapur do të sigurojë lëvizjen e lirë në mes Kosovës dhe Bosnjës, por Kosova siguroi lëvizjen e lirë dhe njohjen e letërnjoftimeve nga Bosnja pikërisht duke qëndruar jashtë Ballkanit të Hapur”.

Sipas tij, dakordimi i sotëm në Berlin është hap i madh që mundëson lëvizjen e lirë në Ballkanin Perëndimor dhe njohjen reciproke të diplomave universitare, si dhe kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët.

“Përgëzoj të gjithë spektrin politik në Kosovë të cilët kanë refuzuar të bëhen pjesë e aventurës së Ballkanit të Hapur, duke ruajtur konsistencën e Kosovës në qëndrimin tonë se Procesi i Berlinit, nën udhëheqjen e Kancelarit gjerman dhe pjesëmarrje aleatëve të Kosovës, mbetet i vetmi proces rajonal që ka përkrahjen e Kosovës. Tani i gëzojmë frutet e kësaj urtësie dhe vizioni politik”, ka përfunduar Shasha.

Siç dihet, ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord në Berlin për lëvizjen e lirë me karta identiteti mes shtetasve të rajonit, njohjen e diplomave universitare, dhe njohjen e kualifikimeve profesionale.

Këtë e bëri të ditur të premten në Berlin, ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock.

(Kosova Sot Online)