Osmani për vizat: Duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës

  • A.P /
  • 23 October 2022 - 11:58
Osmani për vizat: Duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një konferencë të përbashkët me homologun e saj nga Malta, George Vella, foli për marrëdhëniet mes dy shteteve, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se vizita e Vellas në Kosovë “është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet shteteve tona”.

“Ju jemi mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Maltës, që nuk ka munguar asnjëherë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës”, tha ajo.

Osmani e falënderoi Maltën për “mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës”.


Ajo tha se marrëdhëniet ekonomike mes Kosovës dhe Maltës “kanë një potencial të madh për tu thelluar më tej”.

Osmani e përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“Kanë kaluar më shumë se katër vite që kur Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret në procesin e liberalizimit të vizave. Duhet t’i jepet fund përjashtimit të padrejtë të qytetarëve të Kosovës nga ky proces. Prandaj shpresojmë që një vendim të merret më së largu në nëntor, gjatë presidencës çeke, që pastaj vendimi për liberalizimin e vizave të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme duke mos përcaktuar kritere të reja teknike të cilat vetëm do ta vazhdonin padrejtësinë e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ajo.

“Rruga euroatlantike e Kosovës është orientim strategjik i vendit tonë. Kosova asnjëherë nuk ka shikuar as flirtuar me ndonjë alternativë tjetër. Orientimi strategjik i popullit dhe vendit tonë është i padiskutueshëm  dhe Kosova ka përafërim 100 për qind me vendimet e politikës së jashtme dhe të mbrojtjes të BE-së. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte vendim që ndihmon në ngritjen e nivelit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim gjinie, etnie, religjioni”, tha Osmani.

Presidentja Osmani kërkoi “që përkrahja e Maltës do të vazhdojë në këtë drejtim”.

“Kosova shumë shpejtë do të dorëzojë aplikacionin e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian përderisa jemi të vetëdijshëm që ky është një proces që zgjat, ky do të ishte një hap i parë ku Bashkimi Evropian do ta rikonfirmonte edhe një herë që orientimi ynë euroatlantik e mbi të gjitha perspektiva jonë evropiane janë jo vetëm në të mirë të qytetarëve tanë të vendit tonë por janë interes gjeostrategjik i vetë BE-së.”

(Kosova Sot Online)