Zbulohet një rast tjetër i dhunimit, e mitura në Kllokot dyshohet se u keqtrajtua nga një 38-vjeçar

  • E.K /
  • 24 October 2022 - 08:15
Zbulohet një rast tjetër i dhunimit, e mitura në Kllokot dyshohet se u keqtrajtua nga një 38-vjeçar

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Zakonisht viktima janë gratë të cilat raportojnë në Polici se janë keqpërdorur seksualisht nga persona të panjohur, por shpesh herë të dyshuar janë edhe persona të afërm të tyre me të cilët kanë krijuar lidhje dashurie.

Një rast i tillë i trishtë që dyshohet se ka ndodhur disa herë në Kllokot, është zbuluar së fundmi dhe këtë herë viktimë është një e mitur.

Burimet e sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një vajza dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga një 38-vjeçar, së paku dy herë, gjatë kohës kur ajo ka qenë nën moshën 16-vjeçare. Ky rast tronditës u zbulua nga vëllai i viktimës, i cili u detyrua të njoftojë Policinë se motra e tij dyshohet se është dhunuar nga personi me të cilin ishte në lidhje dashurie.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para Prokurorit të Shtetit, i dyshuari ka abuzuar seksualisht me të gjatë vitit të kaluar, por nuk dihen detaje nëse ka pasur edhe raste të tjera, në periudha të ndryshme kohore, kur i njëjti ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Si rezultat i denoncimit të rastit, i dyshuari është identifikuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij për veprën me të cilën ngarkohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor, Prokuroria pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.

(Kosova Sot Online)