Kjo është gjendja e punëtorit që këputi shuplakën e dorës në Deçan, nga mishtorja e quajnë rastin ‘taksirat’

  • E.K /
  • 24 October 2022 - 11:43
Kjo është gjendja e punëtorit që këputi shuplakën e dorës në Deçan, nga mishtorja e quajnë rastin ‘taksirat’

Media raportoi sot se një punëtor i mishtores “Vëllezërit Neziraj” në Deçan ka këputur shuplakën e dorës derisa ishte duke punuar me makinën e bluarjes së mishit. Për shkak të gjendjes serioze, punëtori 30-vjeçar u dërgua në QKUK për trajtim, ku i është nënshtruar një operacioni.

Punëtori tashmë ndodhet në klinikën Kirurgjike Plastike dhe gjendja e tij është stabile. Këtë e ka konfirmuar doktoresha Dafina Basholli.

Ndërkohë nga mishtorja kanë folur shkurt për Sinjalin duke e quajtur rastin si “taksirat”, teksa s’kanë dhënë më shumë detaje për rastin.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar rastin si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë vendin e punës”, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

(Kosova Sot Online)