Zafir Berisha akuzohet për sulm ndaj një polici në Prizren

  • E.K /
  • 24 October 2022 - 12:01
Zafir Berisha akuzohet për sulm ndaj një polici në Prizren

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër Zafir Berishës, zyrtarit të Nismës Socialdemokmrate.

Berisha akuzohet për “sulm ndaj personit zyrtar”, ka bërë të ditur Prokuroria përmes një njoftimi për media.

Më 8 qershor të këtij viti, Berisha ishte arrestuar për sulm ndaj një zyrtari policor në rrugën “Suzi Qelebi” në Prizren.

Sipas Policisë, së bashku me Berishën ishte arrestuar edhe një i dyshuar tjetër pasi kishin ofenduar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zafir Berisha me dashje e sulmoi personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare.

“I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D”, thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Berisha e ka grisur njoftimin për kundërvajtje dhe copëzat e saj ia ka hedhur në fytyrë të dëmtuarit.

(Kosova Sot Online)