Made in Kosova: Këta janë qentë e Sharrit, të butë sidomos me fëmijët e vegjël

  • 24 October 2022 - 13:46
Made in Kosova: Këta janë qentë e Sharrit, të butë sidomos me fëmijët e vegjël

Qeni i Sharrit është një kujdestar i padiskutueshëm i kopesë, i cili pa ngurrim përleshet me ujqërit dhe arinjtë për të mbrojtur delet dhe bagëtitë e tjera. Kështu i përshkruajnë qentë e tyre disa prej bashkëbiseduesve të Radios Evropa e Lirë.

Në të njëjtën kohë, thonë ata, kjo racë e qenve është shumë besnike dhe shumë e dashur. Këto karakteristika të qenve të Sharrit mund të vlejnë edhe për pronarët e tyre, të cilët deklarojnë se nuk do t’i shisnin qentë e tyre as nëse u ofrohen disa mijëra euro.

Vetë emri i qenit – Qeni i Sharrit – tregon se shtëpia e tij është në Malet e Sharrit, që shtrihen përgjatë kufirit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Besohet se qentë e Sharrit janë ndër qentë më të famshëm në Ballkan.

“Heronjtë e patrembur” të kopesë

Barinjtë që e kalojnë verën në Sharr duke u kujdesur për bagëtitë e tyre, tregojnë se kanë qenë dëshmitarë të takimeve të shumta mes qenve të Sharrit dhe ujqërve, apo arinjve. Ata pretendojnë se “qentë tanë të patrembur” kanë shpëtuar qengjat, delet dhe kafshët e tjera shtëpiake.

“Para disa ditësh, një ujk sulmoi një qengj timin, i cili mbeti pak pas kopesë. Disa nga qentë e mi, nga 15 sa kam, shkuan shpejt dhe e përzunë ujkun, duke e shpëtuar qengjin. Raste të tilla ka pasur shumë”, thotë Gafur Doda, një blegtor nga fshati Restelicë, afër Dragashit, komunë në jug të Kosovës.

Fqinjët e tij, familja Bale, kanë qindra dele të cilat i ruajnë 12 qen të Sharrit.

Pa qentë e Sharrit, thonë ata, nuk do të mund të mbijetonin nga sulmet e kafshëve të egra që u afrohen fshehurazi bagëtive të tyre.

“Ne kurrë nuk i lidhim qentë tanë. Kjo është arsyeja pse delet tona janë të sigurta si ditën, ashtu edhe natën. Ndodh që ujqërit përpiqen të hyjnë në kope dhe të na dëmtojnë. Ka pasur raste të tilla, por qentë e Sharrit janë gjithmonë afër kopesë. Më kujtohet një rast kur qentë tanë mbytën një ujk dhe të tjerët u detyruan të iknin”, thotë me krenari Sakip Bale.

Qentë e Sharrit janë agresivë vetëm ndaj kafshëve të egra që sulmojnë bagëtitë. Ata janë qen që e duan lirinë dhe duan ta shijojnë natyrën magjepsëse të Maleve të Sharrit. Personat që e njohin këtë racë qensh, thonë se ata janë shumë të butë me fëmijët dhe duan të luajnë me ta.

(Kosova Sot Online)