Kurti përballë Perëndimit, çfarë do të ndodhë më 31 tetor!

  • A.P /
  • 24 October 2022 - 16:48
Kurti përballë Perëndimit, çfarë do të ndodhë më 31 tetor!

Po hyhet në javën e fundit ku përfundon afati i dhënë nga Qeveria e Albin Kurtit për qytetarët serbë, që t’i zëvendësojnë targat ilegale të automjetëve. Ndërkombëtarët tashmë kanë kërkuar publikisht  që afati të zgjatet. Emisari amerikan ka thënë se Kosova duhet ta dëgjojë, kur SHBA dhe shtetet e tjera të QUINT-it i propozojnë diçka. Qeveria nuk ka dhënë shenjë se do ta bëjë këtë.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kërkon që Qeveria ta shtyjë afatin e dhënë për zëvendësimin e targave, që deri tash janë lëshuar ilegalisht për serbët e Kosovës. Por, kjo nuk ishte thjesht një kërkesë.

Escobar thotë se SHBA dhe QUINT-i kërkojnë që të shtyhet afati për targat dhe se kjo kërkesë duhet të përfillet.

“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën”.

“Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, tha Escobar të mërkurën, duke bërë të ditur se akoma nuk e kishte marrë një zotim nga Qeveria apo Presidentja se do t’ua aprovojnë kërkesën.

Presidentja Vjosa Osmani, kur u pyet të enjten për kërkesën që vendimi të shtyhet, nuk la të kuptohet se do ta pranojnë “sugjerimin” ndërkombëtar.

“Për targat është një temë që jemi duke e diskutuar dhe ajo që e kam thënë në takim më Esocbar është që kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Pra ekziston një grup i vogël i serbëve që nuk e kanë bërë këtë ndryshim sepse ata kërcënohen nga banda kriminale që mbështeten nga Vuçiq”, tha Presidentja.

Edhe Qeveria ka lënë të kuptohet se nuk do ta pranojë kërkesën e BE-së dhe SHBA-së lidhur me targat.

“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë për rel, të enjten.

Kërkesën për shtyrjen e afatit për regjistrim të targave e bërë javë më parë edhe Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Sipaj tij, afati prej dy muajsh që të zëvendësohen targat ilegale është “jashtëzakonisht i shkurtër”. Rrjedhimisht, ai ka propozuar që afati i dhënë nga Qeveria për qytetarët serbë të zgjatët.

“Duhet të ketë një periudhë të arsyeshme kohore për tranzicion dhe mendoj se dy muaj janë kohë e shkurtër. Po ju jap një shembull nga shteti im. Mua më duhet të ndryshoj lejen e vozitjes dhe kam pasur katër vjet kohë, por ende nuk e kam ndryshuar dhe e di se duhet ta bëjë së shpejti. Nuk duhet të ketë një periudhë kaq të gjatë, por duhet të keni periudha tranzicionale administrative, në linjë me standardet evropiane dhe do të thosha se dy muaj janë pak”, ka thënë ai 

Edhe nga Bashkimi Evropian kanë thënë se i kanë kërkuar autoriteteve kosovarë që ta shtyjnë afatin për 10 muaj.

Qeveria e Kosovës më 1 shtator ka dhënë afat që deri më 31 tetor të riregjistrohen veturat, të cilat qarkullojnë me targa ilegale të lëshuara nga Serbia.

Nga 1 nëntori, sipas qëndrimit qeveritar të deritanishëm, veturat me regjistrim ilegal nuk do të lejohen të qarkullojnë në Kosovë. 

(Kosova Sot Online)