‘Mesazhi ynë ka qenë konsistent’: ShBA i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjidhin çështjen e targave

  • E.K /
  • 25 October 2022 - 09:34
‘Mesazhi ynë ka qenë konsistent’: ShBA i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë të zgjidhin çështjen e targave

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të zgjidhin në mënyrë paqësore çështjen e targave.

Ky deklarim vjen teksa po afrohet 31 tetori, i cili është parë si afati i fundit për ndryshimin e targave në RKS.

Siç shkruan e përditshmja amerikane ‘The Pavlovic’, javën e kaluar i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe homologu i tij evropian, Miroslav Lajçak, patën diskutime në Kosovë dhe Serbinë, por që nuk prodhuan rezultate.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u pyet lidhur me mesazhin e Sekretarit Blinken për Prishtinën dhe Beogradin, duke pasur parasysh se afati i 31 tetorit po afrohet me shpejtësi për ndërmjetësimin e marrëveshjes për targat, teksa ripohoi mbështetjen amerikane për bisedimet Serbi-Kosovë.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Price.

Price, mes tjerash, tha se Blinken ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha nga të dy kërkoi angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet.

“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.

Tutje, Price tha se ka shpresë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë dialog të BE-së. Ne do të vazhdojmë të jemi partner si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë me shpresën se ato mund ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, tha Price për The Pavlovic Today.

(Kosova Sot Online)