U.D e Rektores Plakolli paralajmëron padi ndaj Hasanit: Doktoratura ime vepër e pastër intelektuale

  • E.K /
  • 25 October 2022 - 15:13
U.D e Rektores Plakolli paralajmëron padi ndaj Hasanit: Doktoratura ime vepër e pastër intelektuale

Akuzave të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani se doktorata e u.d. të rektores Luljeta Plakolli – Kasumi është “zhgl dhe plagjiat”, i është përgjigjur vetë ajo. Me anë të një reagimi në profilin e saj në rrjetin social, Pakolli-Kasumi thotë se disertacioni i doktoratës së saj është vepër e “pastër intelekutuale” e saj.

Teksa, profesori universitar Enver Hasani e akuzoi Luljeta Plakollin për “nivel të ulët dhe plagjiat” në punimin e saj për doktoraturë, ajo thotë se i qëndron prapa çdo shkronje që ka shkruar në punimin e doktoratës.

Tutje, Plakolli-Kasumi thekson se bashkë me avokatin e saj është në diskutime për të shikuar mundësitë e saj ligjore të mbrojtjes së dinjitetit profesional dhe njerëzor.

Ajo është shprehur e gatshme që të përballet me çfarëdo vlerësimi mbi punimin e saj të doktoratës.

Reagimi i saj i plotë:

Mbrëmë Enver Hasani në emision, në mes tjerash, ka deklaruar se tema ime e disertacionit është plagjiaturë.

Më lejoni të theksoj me gjithë përgjegjësinë time morale, akademike dhe njerëzore që disertacioni im i doktoraturës është vepër e pastër intelektuale e imja; atë e kam produkt të punës sime shumë-vjeçare. I qëndroj mbrapa çdo shkronje që kam shkruar dhe jam e gatshme të përballem me çfarëdo vlerësimi mbi të.

Për ta orientuar drejt debatin, jam në përgatitje e sipër të një shkrese për Këshillin e Etikës që të themelojë një komision profesional me profesorë eminent për të vlerësuar kualitetin dhe qëndrueshmërinë e tezave të disertacionit tim të doktoraturës. Pres që një komision i tillë shumë shpejtë të themelohet dhe ta kryejë këtë detyrë.

Në ndërkohë, ne me avokatin tim jemi në diskutime për mundësitë e mia ligjore të mbrojtjes së dinjitetit tim profesional dhe njerëzor.

Sipas Hasanit, tema e doktoratës së Plakollit nuk është “as punim seminarik”.

“Për fat të keq, kam qenë kryetar i komisionit të saj për doktoratë para një viti e gjysmë. Mas tri katër herë, se u lodha, se problem është 3-4 me kontrollu një doktoratë dhe mos me t’i marrë parasysh. Një herë e dy me kolegë, dikur u dorëzova dhe me kërkesën dhe lutjen e dekanit ne e lëshuam me kërkesën që në dosje me pasë një temë tjetër sipas vërejtjeve… Bile unë i thashë ky as punim seminarik nuk është, jo për doktoraturë… Tmerr. Unë jam në universitet prej 87-s, kam pasë rast me ndihmu dhe monitoru në çdo nivel. Pas kërkesës së dekanit, kam besu që do të bëhet një frymë më ndryshe, po kjo ndërhyrje ishte shqetësimi im i parë. E dyta para 3-4 muajsh thanë është duke u bërë një reformë. Disa kolegë më thirrin, më thojnë po don me ma hjek lëndën dhe unë i thashë që kjo është logjikë e rrugës. Kjo më coi mu me këqyrë profilin psikologjik… E këqyra doktoratën e tij për përgjegjësinë penale. Përmbi 50 për qind është plagjiat brutal, e disa autorëve shqiptarë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)