Gërvalla e prerë: Serbia e ka zgjedhur ministër të jashtëm zëdhënësin e Millosheviqit

  • A.P /
  • 25 October 2022 - 22:59
Gërvalla e prerë: Serbia e ka zgjedhur ministër të jashtëm zëdhënësin e Millosheviqit

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e ka kritikuar vendimin e Qeverisë së Serbisë, për emërimin si ministër të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, i cili kohë më parë ishte zëdhënës i diktatorit serb, Sllobodan Millosheviq.

Para të pranishmëve në Samitin e Ballkanit Perëndimor, i cili po mbahet në Prishtinë, Gërvalla tha se me emërimin e ish-zëdhënësit të Millosheviqit në pozita të larta shtetërore, jepet mesazhi se nuk ka progres por vetëm hapa prapa.

“Për pak ditë ministri i ri i jashtëm është Ivica Daçiq, ka qenë për 8 vjet zëdhënës i Millosheviqit, ka qenë periudha 1992-2000, gjatë gjenocidit. Të ia vësh politikën e jashtme atij personi, për ne në rajon kjo do të thotë se do të kthehemi prapa. Gjithmonë na thonë partnerët mos u ktheni në të kaluarën, nuk është problem ajo, është problem e tashmja e Serbisë”, ka thënë Gërvalla.

Gërvalla e ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian për qasjen toleruese ndaj Serbisë, derisa ka shtuar se ky shtet është i vetmi në Ballkan që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë, por ka bashkëpunuar me të.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës u shpreh se Serbia nuk e ka për qëllim integrimin dhe përqafimin e vlerave politike evropiane, por sipas saj ka për qëllim vetëm t’i marrë fondet e BE-së.

“Nuk mund të hysh në një rajon ku nuk e ke përgatitur terrenin. Nuk ka kurrfarë dyshimi, ata e kanë vendosur ku përkasin, evropianët nuk po e kuptojnë se Serbia e ka vendosur që të largohet nga rruga evropiane. Nuk po e kuptojnë që Serbia nuk ka dëshirë që të bëhet pjesë e BE-së, po dëshiron fondet e BE-së, po kaq, nuk ka të bëjë me të ardhmen politike”, ka thënë ajo.

Gërvalla theksoi se ka pritur që pas bashkëpunimit të Rusisë dhe Serbisë, kësaj të fundit t’i ngrihej statusi i kandidatit për në BE, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

(Kosova Sot Online)