I akuzuari për shtytje në vrasje thotë se shprehja “a e mbushe” kishte qenë për telefon

  • E.K /
  • 26 October 2022 - 10:44
I akuzuari për shtytje në vrasje thotë se shprehja “a e mbushe” kishte qenë për telefon

Baki Shkodriqi, i akuzuar për shtytje në vrasje të rëndë, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se mesazhi i dërguar “a e mushe” tek djali i Besnik Shkodra, i akuzuar për vrasje të rëndë, kishte qenë për telefonin që kishte mbetur pa bateri.

“Edhe sot më kujtohet fjala që kam shkruar ‘a e mushe’, sa isha ndërkohë tu folë me Besnikun, Besniku më thotë ‘në qoftë se m’u ndalet telefoni mos u bon merak se vetëm sa se ka lëshu bateria’. E pas një kohe, kur u ndërpre telefoni, ia kom dërgu një sms me fjalën ‘a e mushe’ dhe Besniku më thirrë prapë në telefon menjëherë pas dërgimit të mesazhit dhe më tha ‘qe në kabull e kam tu e mush telefonin’”, ka deklaruar Shkodriqi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së tij, avokates Sadije Mjekiqi, i akuzuari Shkodriqi ka sqaruar kronologjinë e ngjarjes në detaje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai ka bërë të ditur se çdo fundvit ka ardhur nga Austria në Kosovë për t’i festuar festat me familjarë, duke thënë se edhe në dhjetor të vitit 2017 e kishte bërë të njëjtën gjë.

Atë vit të ri, e kishte festuar në mesin e familjarëve duke përfshirë djalin e tij, tani të akuzuarin Besnik Shkodra dhe tani të ndjerin, Abit Jashari.

Shkodriqi tregoi se pas kthimit të tij në Austri më 3-4 janar 2018, përmes kamerave të sigurisë që i kishte pasur të instaluara në shtëpinë në Prishtinë, kishte parë se diçka nuk ishte në rregull.

Lidhur me këtë, ai tha se kishte biseduar me nënën e tij e cila i kishte thënë se ‘Besniku po na bon probleme’, e pas kësaj kishte folur edhe me Besnikun e që sipas tij i kishte thënë “babë, unë kesh jashtë dhe i dëgjova disa fjalë tu fol për mu dhe dashnoren time dhe kam hy mrena duke ju thënë që mos të ju interesojnë juve punët e mija dhe pas disa fjalosjesh u çu Abiti dhe më rrahu në dhomën time”.

Shkodriqi tha se si rezultat i kësaj, ishte nisur për në Kosovë, aty ku e gjithë familja, si nëna si motra i kishin thënë se “Besniku po ju bën probleme në shtëpi” dhe se “nuk është e vërtetë çfarë të tha Besniku, ai po rren”.

I akuzuari Shkodriqi tha se kishte ftuar Abitin dhe motrën e tij në shtëpi për t’u sqaruar, e që të gjithë kishin thënë fjalët e njëjta.

I njëjti sqaroi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë për ato ditë, Besniku më nuk ishte kthyer në shtëpi ashtu që përmes sms-it e kishte informuar se nuk do të jetojë më në shtëpinë e përbashkët.

“Ka ora 11 ose 11:30 natës më vjen një sms nga Besniku, i cili më shkruan ‘babë, unë në atë shtëpi më nuk vij, nuk më besuat mua asnjë, e as nuk më besove se çka të tregova, por ma shumë i besove nënës, motrave dhe Abitit dhe për atë arsye unë nuk do të kthehem më”, tha ai.

Po ashtu, Shkodriqi tha se prej atij momenti nuk ka pasur më kontakt me Besnikun deri rreth një javë para ditës kritike.

Kontakti i tij i parë pas 12-13 muajsh me Besnikun, sipas tij kishte qenë përmes telefonit me mesazhe në shkurt të 2019-ës, ku i kishte shënuar ‘a po më pranon me u kthy apet në banesë se kom gabu që kam dalë nga shtëpia’, por që Shkodriqi tha se këtë gjë nuk e kishte toleruar.

Ai tha se kishte dëgjuar se Besniku është duke jetuar me Shkodranin, por që sipas Besnikut, Shkodrani donte ta largonte nga banesa, duke thënë që edhe drunjtë ia kishin marrë së bashku me Abitin, e për këtë e kishte thirrë edhe me kamerë për ta parë.

Shkodriqi tha e kishte dëgjuar Shkodranin duke thënë se ‘hyn brenda se këto dru i kam ble unë dhe Abitin e kam vëlla dhe ta boj ma zi se që ta ka bo Abiti’, ndërsa më vonë e kishte larguar nga banesa dhe se Besniku kishte vendosur të shkojë te një shok.

Tutje, ai sqaroi se gjatë një momenti që ishte në telefon me djalin e tij, kishte dëgjuar që i është afruar Abiti dhe e kishte goditur shqelma apo grushtae, dhe se e kishte sharë duke i thënë se ‘tjetrën herë ka me të vra krejt’.

I akuzuari Shkodriqi tha se nga stresi dhe frika ishte nisur menjëherë për në Kosovë dhe madje rrugës kishte lajmëruar rastin edhe në stacionin policor të lagjes së Vranjevcit.

I njëjti tha se ka biseduar me dy zyrtarë policorë, të cilët i kishte njohur me vite dhe iu kishte sqaruar rastin, duke iu thënë se kurdo që mbërrin në Kosovë do të jepte deklaratën e tij për ngjarjen.

Në vazhdim, ai tha se herë pas here është dëgjuar me Besnikun, i cili i kishte thënë se është tek një shok.

Kurse, kur u pyet për shprehjen nga telefoni i Besnikut ‘Ekryet’, ai tha se “unë e kam parë këtë fjalë, por nuk e kam kuptuar se çka ka dashtë të thotë” dhe se ia kishte kthyer vetëm me ‘çka’, për të kuptuar diçka më shumë.

Pas kësaj, ai tha se kishte folur me Besnikun me zë, ku i kishte thënë ‘babë, unë jam ndalur te një shkollë dhe në atë moment Abiti ka ardhë nga ana e kundërt, ka dalë nga kerri dhe unë në atë moment kam gju në drejtim të tij, mos më thirr ma se jam duke dalë me ikë nga Prishtina’, kurse përgjigja e tij kishte qenë se ‘naj paske q* nanën krejtve, na paske marrë në qafë tanve”.

Ai tha se këtë nuk kishte mundur ta besonte dhe kishte dashur të mbërrinte sa më shpejtë në Kosovë, por që gjatë rrugës edhe në portale e kishte parë se ishte duke u shënuar për një plagosje, madje në një prej portaleve kishte parë fotografinë e tij me shkrimin ‘se personi i dyshuar gjendet momentalisht në Beograd, në drejtim të Kosovës’.

Shkodriqi sqaroi se me të ardhur në kufi të Kosovës, ishte ndaluar nga personat zyrtarë dhe nën përcjellje kishte shkuar për të dhënë deklaratë në Polici.

Ai bëri të ditur se në prokurori për këtë ngjarje ka dhënë dy deklarata, njërën në cilësi të dëshmitarit dhe tjetrën në cilësi të të dyshuarit.

Po ashtu, Shkodriqi tha se ai ishte përkujdesur në aspektin financiar dhe gjitha të tjerat, jo vetëm për familjen e ngushtë por edhe për motrat e tij.

Duke qenë se ishte përfundimi i orarit të punës, prokurorja Fitore Sadikaj kërkoi që seanca e sotme të ndërpritet dhe të vazhdohet për një datë tjetër marrja në pyetje e të akuzuarit.

Pas kësaj, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Jeton Osmani i propozoi gjykatës që të caktohet një ekspertizë financiare, e cila do të përcaktonte dëmin material si dhe rentën mujore që do të realizonte familja e të dëmtuarit si ndihmë nga ana e të ndjerit po të ishte i gjallë.

Propozimin e tillë nuk e kundërshtoi prokurorja Sadikaj, kurse u konsiderua si jo i arsyeshëm dhe si zvarritje e kësaj procedure nga ana e mbrojtjes.

Lidhur me këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kushtrim Shyti tha se do të vendoset jashtë seancës.

Seanca e radhës për këtë çështje penale është caktuar për 13 dhjetor 2022.

Ndryshe, gjatë fazës së dhënies së mbrojtjes nga i akuzuari Besnik Shkodra, gjykata ka mbyllur për publikun seancat e 15 shtatorit dhe 24 tetorit 2022, për të arsye të mbrojtjes së integritetit të palës së dëmtuar dhe ndjeshmërisë së rastit.

Për këtë çështje, më 14 korrik 2022 është bërë rikonstruimi i vendit të ngjarjes pas propozimit të aprovuar nga trupi gjykues me 1 qershor 2022 të mbrojtësit të të akuzuarit Besnik Shkodra, avokatit Skender Musa.

Sipas aktakuzës së ngritur më 22 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Besnik Shkodra akuzohet se më 27 shkurt 2019, në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të mëhershme në mes të tij dhe tani të ndjerit Abit Jashari, në ditën kritike, derisa i ndjeri ishte duke u kyçur në rrugën “Haxhi Zeka” me veturën e tij të llojit “Opel Omega”, ishte i ndalur në atë rrugë me veturën “Citroen C4”, saktësisht para lokalit të quajtur “Top Market”.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri, aty për pak kohë e ka vëzhguar tani të ndjerin, i cili ishte duke ardhur në drejtim të rrugës ku ishte ai dhe me t’u afruar në një distancë prej 4-5 metrash, i akuzuari me dashje që ta privojë nga jeta ka shtënë me armë të llojit “Cervena Zastava”, M70, e kalibrit 7.65x 17mm, në drejtim të tani të ndjerit Abit Jashari, i cili gjendej në veturë.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri del nga vetura, ku i pandehuri ka shtënë me armë prapë në drejtim të tij, me ç’rast tani i ndjeri vazhdon të ecë 2-3 metra dhe rrëzohet në tokë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas plagëve të marra në shpinë të dorës dhe në regjionin e pasmë të majtë të shpinës, ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Për këtë, Besnik Shkodra akuzohet për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

Kurse, në dispozitivin e dytë të akuzës, ai akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi sipas prokurorisë, nga data e pacaktuar e deri më 27 shkurt 2019, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në pronësi revolen e lartcekur, duke shkelur ligjin e zbatueshëm lidhur me armën.

Në anën tjetër, Baki Shkodriqi akuzohet se me dashje e ka shtyrë të pandehurit Besnik Shkodra, djalin e tij, që ta kryejë veprën penale të vrasjes së përshkruar në dispozitivin e parë të aktakuzës.

Aktakuza thotë se gjatë hetimeve ka rezultuar se i pandehuri Baki, në mëngjesin e po asaj dite, i ka dërguar një sms Besnikut me fjalët “a e mbushe”, ndërsa i pandehuri pasi e ka përfunduar vrasjen e ka informuar të pandehurin me sms se “e kreu”, e kjo ka ndodhur pak minuta pasi është kryer vrasja.

(Kosova Sot Online)