Osmani për targat: Ka sugjerime, jo presion

  • A.P /
  • 26 October 2022 - 16:15
Osmani për targat: Ka sugjerime, jo presion

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është deklaruar për çështjen e targave, pak ditë para skadimit të afatit për riregjistrimin e tyre.

Ajo tha se nuk ka presion ndërkombëtar për këtë, pasi sipas saj, gjithçka që vjen nga “miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm”.

“Nuk do ta quaja presion. Gjithçka që vjen nga miqtë tanë është sugjerim me qëllimin më të mirë të mundshëm”.

Osmani tha se qëllimi i Kosovës është që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë.

“Natyrisht që sikur ne, si liderë institucional të Kosovës, ashtu edhe miqtë tanë, qëllim kemi që të ruhet paqja dhe stabiliteti në Kosovë e përtej”.

Ajo tha se nuk ka ndërruar qëndrim për targat, për çka ajo tha se është kundër shtyrjes së afatit.

“Sa i përket qëndrimit tim rreth targave e kam thënë para tri-katër ditësh. Kjo është çështje e sundimit të ligjit dhe në koordinim me partnerët tanë do ta gjejmë një zgjidhje, ku qytetarët serbë nuk do të ndihen as të kërcënuar, as të frikësuar, sepse qëllimi është i mirë për ta”, ka thënë presidentja Osmani.

Këto deklarata, Osmani i bëri pas ceremonisë së mbjelljes së drunjëve në aksin rrugor tek Aeroporti i Prishtinës.

Ndërkaq, BE dhe SHBA-të kanë kërkuar një shtyrje 10 mujore të afatit për targat, i cili skadon më 31 tetor.

(Kosova Sot Online)