Gorani: Nga sonte në lojë futen komandanti i KFOR-it dhe EULEX-i

  • A.P /
  • 27 October 2022 - 21:23
Gorani: Nga sonte në lojë futen komandanti i KFOR-it dhe EULEX-i

Dukagjin Gorani e sheh me skepticizëm mundësinë që një marrëveshje të arrihet para 31 tetorit, kur përfundon afati i dhënë nga qeveria e Kosovës për çështjen e targave të lëshuara nga autoritetet serbe për qarkullim brenda Kosovës.

Gorani,ka thënë se me veprimet e tyre, Kosova dhe Serbia po tregojnë që nuk kanë vullnet për të nisur diskutimet mbi draftet dhe marrëveshjet kornizë të përfolura në publik.

Për shkak të afrimit të 31 tetorit, Gorani ka thënë se situata e sigurisë dhe frika nga një konflikt, fut në lojë KFOR-in dhe EULEX-in.

“Gjasat janë për zgjidhje për çështjen e targave janë minimale. Mënyra qysh po zhvillohen ngjarjet, nuk më jep me kuptu për një zgjidhje. Prej natës së sontshit, në lojë e ke komandantin e KFOR-it, EULEX-in. Cështja e sigurisë tash shndërrohet në çështje primare.  Nuk ekziston as minimumi i vullnetit mes palëve për të nisur diskutimet për marrëveshjet kornizë”, ka deklaruar ai.

Gorani ka thënë se beson që ekzistojnë drafte për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë. Madje, sipas tij, mund të jenë ekzistente disa drafte.

“Unë besoj që një lloj i drafteve, nëse jo një, atëherë disa, që janë të përafërt në përmbajtje, natyrisht që ekistojnë. Besoj që ekzistojnë dy-tre variante të të njëjtit qëndrim apo pozicion. Ekzistojnë variantet sepse mundohen me gjetë modalitete për variablat e marrëveshjes nesër. Njëra nga variablat e rëndësishëm është akomodimi i Asociacionit. Ka me pasë edhe diskutime se si me ia vendosë emrin, çfarë kompetencash me pasë dhe kur dhe si me u themelu”, ka thënë ai.

Sipas Goranit, ekzistenca e drafteve të tilla, dëshmon një gjë.

“Qysh sot shihet që ekzistimi i drafteve tregon që bashkësia ndërkombëtare e ka ndërmend me çu këtë punë deri në fund”, ka thënë ai.


(Kosova Sot Online)