Abazi kundër këmbënguljes së Kurtit për afatin e targave, i flet për “artin e politikës”

  • E.K /
  • 28 October 2022 - 10:47
Abazi kundër këmbënguljes së Kurtit për afatin e targave, i flet për “artin e politikës”

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi, ka dalë me një qëndrim të ndryshëm nga shefi i tij i partisë, Albin Kurti, për çështjen e shtyrjes së afatit të targave.

Përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve për shtyrje të këtij afati, Kurti tha se 31 tetori mbetet afati i fundit kur mund të bëhet riregjistrimi i targave në RKS.

Edhe pse thotë se ky qëndrim është parimor, Abazi foli për “artin e politikës”, i cili duhet ta nxisë Kurtin që të lëshojë pe.

 “Pozicioni ynë për targat sot në parim është i drejtë dhe i merituar. Por, arti i politikës dhe diplomacisë duhet të na mundësojë që pozicionin parimor ta përkthejmë në favor të interesit kombëtar. Më shumë se sa targat e serbëve na duhet lëvizja e lirë dhe rikthimi i lëvizjës së qytetarëve tanë drejt Sarajecës. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshmë sepse më shumë se tri dekada qytetarëve tanë i është ndaluar udhëtimi në drejtim të Bosnje Hercegovinës që janë lidhje historike”, ka thënë Abazi në një konferencë për media.

Abazi tha se shtyrja duhet të bëhet për hir të Procesit të Berlinit dhe vendimet e rëndësishme që dalin nga ai.

“Rrjedhimisht, propozoj që afati për targat të bëhet deri më 31 dhjetori dhe në këtë formë ia pamundësojmë kujtdo sabotimin e Procesit të Berlinit dhe ia pamundësojmë mundësinë që të ngrisin tensione në veriun e rëndësishëm të vendit. Është e rëndësishme që ne ta shtyjmë datën deri më 31 tetor dhe t’i lëmë hapësirë procesit të Berlinit të konsolidohet si proces, i cili është sabotuar nga serbët, por jo vetëm – nga të gjithë akterët e Ballkanit të Hapur”.

(Kosova Sot Online)