38 vite burg për një krim që nuk e kishte bërë, 69-vjeçari fiton më në fund lirinë

  • E.K /
  • 29 October 2022 - 11:41
38 vite burg për një krim që nuk e kishte bërë, 69-vjeçari fiton më në fund lirinë

Shpenzoi afërsisht 4 dekada në burg për një krim që nuk e kishte bërë.

Maurice Hastings, e mori drejtësinë pas fiks 38 vitesh në një burg shtetëror në SHBA.

Ajo që e shpëtoi ishte një provë ADN-je që zbuloi se fajtori është një tjetër person.

Hastings ishte dënuar për vrasjen e Roberta Wydermyer në Kaliforni dhe për 2 tentativa vrasjeje.

Por prova e re e ADN-së e vuri gishtin tek një person tjetër, i cili vdiq në burg në vitin 2020.

Tashmë, Hastings ka mbushur 69 vjeç dhe është liruar nga burgu sepse vendimi për dënimin e tij është pushuar më 20 Tetor.

Avokati George Gascón e ka përshkruar dënimin e 69-vjeçarit si një “padrejtësi të tmerrshme”.

“Sistemi i drejtësisë nuk është perfekt dhe kur mësojmë për prova të reja që na bëjnë të humbasim besimin në një dënim është detyrimi ynë që të veprojmë me shpejtësi”, shtoi ai në një deklaratë.

Wydermyer u gjet në bagazhin e makinës dhe kishte një plagë të shkaktuar nga një e shtënë arme në kokë. Më herët ajo ishte abuzuar seksualisht. Ngjarja ndodhi në vitin 1983. Në lidhje me ngjarjen u akuzua Hastings dhe prokurorët kërkuan dënim me vdekje.

Një juri e dënoi atë në vitin 1988 me burgim të përjetshëm pa mundësinë për të kërkuar liri me kusht. Në momentin e autopsisë u zbuluan disa njolla sperme tek viktima.

Hastings pretendoi pafajësinë që nga momenti kur u arrestua, por një kërkesë për testimin e ADN-së u refuzua në vitin 2000 nga prokurori i qarkut. Në vitin 2021, ai parashtroi një pretendim tjetër për pafajësi dhe testimi i ADN-së zbuloi se sperma nuk ishte e tij.

Profili i ADN-së përputhej me një burrë që ishte dënuar për një rrëmbim ku ai kishte vendosur një femër në një bagazh të një automjeti.

Pas një seance gjyqësore, Hastings u tha gazetarëve se donte të shijonte pjesën tjetër të jetës së tij.

“Jam lutur për shumë vite që kjo ditë të vinte,” tha Hastings.

(Kosova Sot Online)