Në kazermën “Adem Jashari” nis mbjellja e fidaneve për nder të dëshmorëve

  • E.K /
  • 29 October 2022 - 12:24
Në kazermën “Adem Jashari” nis mbjellja e fidaneve për nder të dëshmorëve

Në hapësirën rreth Obeliskut të Dëshmorëve të Kombit, në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, sot filloi mbjellja e fidaneve në simbolikë të të gjithë heronjve dhe dëshmorëve të kombit -luftëtarë të UÇK-së.

Në aktin e mbjelljes së fidaneve të para, morën pjesë Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, oficerë dhe zyrtarë të lartë të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe numër i madh i ushtarakëve dhe nxënës e nxënëse të shkollave të mesme të vendit.

Me këtë projekt i cili do të vazhdoj, planifikohet të mbjellen nga një fidane për secilin hero dhe dëshmor të kombit-luftëtar të UÇK-së.

Në postimin e tij, Ministri Mehaj, njëherit ideator i këtij projekti, thotë, si në vijim:

SAKRIFICA E DËSHMORËVE, GURTHEMELI I SHTETIT

RINIA, FORCA E PANDALSHME E ZHVILLIMIT

Të rinjtë janë pasuria e këtij vendi, janë e tashmja për të cilën duhet të jetohet dhe e ardhmja për të cilën duhet të punohet.

Në mes të kaluarës dhe të ardhmes ekziston një lidhje e pashkëputshme, e tanishmja e kombit si dhuratë e dëshmorëve, gjithë veprimtarëve të cilët me sakrificën e tyre i dhanë jetës tonë kuptim, lirinë e paçmim, pavarësinë shtetit dhe ushtrinë atdheut.

Për nder të sakrificës së tyre sot, bashkë me nxënësit e shkollave të mesme nga komuna të ndryshme të Kosovës dhe pjesëtarët e FSK-së, mbollëm fidane brenda kazermës “Adem Jashari”, nga një për secilin dëshmorë, si simbolikë të jetës së tyre, gjallërisë së veprës që lanë pas e që vazhdon të jetoj në memorien kolektive të popullit tonë, sakrificën e të cilëve asnjëherë nuk do e harrojmë.

Të rinjtë të cilët na u bashkuan në këtë aktivitet ia shtuan edhe më tepër vlerën organizimit, ngase rinia është energjia e pashtershme, përshpejtuesi i zhvillimit dhe forca e pandalshme e popullit tonë.

E Forca e Sigurisë së Kosovës, ushtria jonë, është trupi organizues nga ku vrulli rinor, atdhedashuria dhe profesionalizmi kanalizohen në shërbim ndaj atdheut, përtej punës në detyrë morale për t’i kontribuar mbrojtjes dhe sigurisë së vendit.

Atdheu do të jetë çdoherë frymëzimi ynë, ushtria, vendi i hapur për formësimin e të rinjve, të gjithë atyre që duan. 

(Kosova Sot Online)