Rusia e alarmuar nga Polonia, Lavrov: Situata për ne është e ngjashme me krizën e raketave në Kubë

  • A.P /
  • 30 October 2022 - 16:49
Rusia e alarmuar nga Polonia, Lavrov: Situata për ne është e ngjashme me krizën e raketave në Kubë

Moska vijon me paralajmërimet që përdorin jehonën e sulmeve bërthamore. Duke pohuar në mënyrë indirekte fjalët e ish sekretarit amerikan të shtetit Mike Pompeo që e cilësoi si tejet shqetësuese qasjen e Moskës ndaj një përgjigje bërthamore, ministri i Jashtëm Sergei Lavrov bëri një paralelizëm të situatës së sotme me krizën e raketave që në vitet 60 vuri përballë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik në ishullin e Kubës.

 “Situata aktuale rreth Ukrainës është e ngjashme me krizën e Karaibeve. Si atëherë, ne po flasim për krijimin e kërcënimeve ndaj sigurisë së Rusisë në kufijtë tanë; në vitin 1962, Hrushovi dhe Kenedi gjetën forcën në vetvete për të treguar përgjegjësi dhe mençuri për ta ndalur këtë, por tani një gatishmëri e tillë nuk është e dukshme nga Uashingtoni”, deklaroi Lavrov.

Kremlini është i shqetësuar për manovrat amerikane dhe të NATO në Poloni.  “Polonia po kërkon të jetë një vend kandidat që amerikanët të vendosin atje bombat e tyre bërthamore. Kjo situatë është shumë shqetësuese. Gjenerata e re e politikanëve perëndimorë po luajnë në mënyrë të papërgjegjshme me këtë temë”, shtoi ministri rus.


(Kosova Sot Online)