Qeverisë së Serbisë po i kërkohen para për pagesën e gjobave që do t’i vendosen serbëve

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 10:56
Qeverisë së Serbisë po i kërkohen para për pagesën e gjobave që do t’i vendosen serbëve

Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe dhe ajo e Zubin Potokut kanë sugjeruar që Qeveria e Serbisë t’i paguajë gjobat për targat për qytetarët serbë.

Ata kërkuan që të anulohet vendimi i ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për gjobitje të atyre që nuk i ndërrojnë targat në RKS.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për rrezikun që pronarët e rreth 9000 automjeteve me targa të përmendura fillimisht të gjobiten, e më pas t’u konfiskohen automjetet. Në asnjë rrethanë nuk e mbështesim vendimin e rafinuar estetikisht të Qeverisë së Kosovës, sepse ai nuk jep zgjidhje thelbësore dhe paraqet një shtrëngim gradual të lakut në qafën e qytetarëve serbë. Kërkojmë që masa e përmendur të anulohet menjëherë dhe qytetarët të lejohen të lëvizin lirshëm pavarësisht targave që kanë! Në rast të shqiptimit të gjobave masive ndaj pronarëve të targave serbe, sugjerojmë që Qeveria e Republikës së Serbisë t’i mbulojë të gjitha shpenzimet që rezultojnë, sepse ishte qeveria ajo që u pajtua që të ndalojë lëshimin e targave për qytetet e Kosovës në vitin 2016, që i jep më shumë argument Qeverisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, Qeveria e Serbisë mund t’i ndajë 2 milionë euro për pagesën e gjobave.

Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe dhe ajo e Zubin Potokut patën kritika edhe ndaj Listës
Serbe, duke thënë se ajo insiston në destabilizim të situatës, në vend të zgjidhjes.

“Lista Serbe insiston në jostabilitet, në vend të zgjidhjeve, duke i dhënë ende legjitimitet partnerëve të koalicionit në qeverinë e Albin Kurtit. Do të ishte më mirë që ata të luftonin kur të largoheshin nga institucionet e Kosovës – siç kanë premtuar shumë herë! Nëse do të ngrihen sërish barrikada, i bëjmë thirrje liderëve të Listës Serbe që të mos fshihen pas popullit, siç kanë bërë deri më tani”.

Për të gjetur një rrugëdalje nga kriza, Iniciativa Qytetare Mbijetesa Serbe dhe Iniciativa Qytetare Zubin Potok kërkojnë që marrëveshjet për lirinë e lëvizjes rishikohet urgjentisht dhe të fillojnë bisedimet e reja për çështjen e targave.

(Kosova Sot Online)