32 serbët që paguheshin pa punuar, i janë rikthyer punës

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 11:36
32 serbët që paguheshin pa punuar, i janë rikthyer punës

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se 32 serbët që për vite me radhë janë paguar pa punuar, i janë rikthyer punës.

Nagavci, në Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, ku është shqyrtuar Raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të MAShTI-t për vitin 2021 sqaroi se kishte kërkuar që ata të largoheshin nga listat që nga marrja e mandatit të saj.

“Në momentin që e kam marr detyrën kam konstatuar që janë 32 zyrtarë serbë që nuk iu dihet as kontakti. Që nga viti 2015 deri 2021 janë paguar pa asnjë analizë. Unë iu kam kërkuar që të hiqen nga listat, pas kësaj këta janë lajmëruar dhe kanë thënë që është dashur t’u ofrohen kushtet për punë dhe se asnjëherë nuk janë kontaktuar nga askush”.

Sipas ministres, si dikaster janë duke punuar mjaft mirë në këtë drejtim.

“Si ministri jemi siguruar që t’iu kërkojmë punë dhe llogari. Këtë zyrtarë i kryejnë punët dhe japin llogari çdo muaj. Konsideroj që kemi bërë një punë shumë të mirë”, ka thënë Nagavci.

Këto sqarime të ministres Nagavci vinë pasi që deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami kishte kritikuar ministren për pagesë të këtyre zyrtarëve.

“Keni thënë se do t’i hiqni nga pagesat mësimdhënësit, e tani keni bërë marrëveshje. Po duket që tradita po vazhdon. Zyra Kombëtare thotë që pas dy muajve janë paguar këta zyrtarë”.

Sipas udhëheqëses së ministres së Arsimit, ky dikaster ka realizuar shumë rekomandime që Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), kishte dhënë.

(Kosova Sot Online)