Kryetari i Mitrovicës Veriore: S’do të bëjmë probleme deri te gjoba e parë për targat

  • E.K /
  • 01 November 2022 - 14:18
Kryetari i Mitrovicës Veriore: S’do të bëjmë probleme deri te gjoba e parë për targat

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut nga radhët e Listës Srpska, Milan Radojeviq, nuk ka përjashtuar barrikadat e reja për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat ilegale, duke thënë se barrikadat e 31 korrikut kishin karakter mbrojtës.

Ai shtoi se probleme s’do të krijojnë deri kur të shqiptohet gjoba e parë, pas dhënies së qortimeve.

“Nuk do të ketë incidente apo probleme nga ana jonë, derisa të shqiptohet gjoba e parë, e cila sipas njoftimeve të Prishtinës mund të ndodhë më 21 nëntor. Por do të shohim se cili është realiteti në terren”, tha ai për RTS.

“Ajo që mund të presim është dhënia e paralajmërimeve, por edhe gjoba. Shpresojmë që në këto tri javë bashkësia ndërkombëtare do të bëjë presion shtesë mbi Prishtinën dhe do të ulë tensionet. Jemi dëshmitarë të këmbënguljes së Albin Kurtit për të vazhduar me zbatimin e këtij vendimi”, tha Radojeviq.

Ai gjithashtu tha se Policia e Kosovës ka “sjellë njësi nga rajone të tjera”, derisa tha se s’mund ta imagjinojë “shqiptimin e gjobave ndaj autoambulancave apo autobusit që transporton fëmijët”.

(Kosova Sot Online)