Foshnja në inkubator pa ngrohje, Drejtoresha e Neonatalogjisë: Kemi kërkuar përgjigje…

  • A.P /
  • 01 November 2022 - 16:14
Foshnja në inkubator pa ngrohje, Drejtoresha e Neonatalogjisë: Kemi kërkuar përgjigje…

Përparim Klinaku dje përmes një postimi në Facebook qortoi Klinikën e Neonatologjisë se vajza e tij pesëditëshe ka qëndruar në inkubator për 2 orë pa ngrohje. Për këtë rast, Klinaku tha se nuk është ankuar askund, derisa të njëjtën gjë e thotë edhe drejtoresha e Neonatologjisë, Hajrije Ismajli.

“Kjo foshnje qe shihni ne kete fotografi eshte vajza ime(5 diteshe), e cila, sot ne QKUK-repartin e neonatologjise, gati dy ore ka qendruar ne kete inkubator pa nxemje, per shkak te neglizhences se stafit pergjegjes!!!”, ka shkruar Klinaku.

Për këtë rast, Klinaku nuk është ankuar askund pasi “nuk beson se merret dikush me atë punë”.

“Mirë është sot vajza, mbrëmë e kanë lëshu. Askund nuk jemi ankuar për rastin, përveç në facebook. Edhe me u anku nuk besoj që merret dikush me atë punë”, tha ai.

Se nuk është raportuar ky rast ka thënë edhe drejtoresha e Klinikës së Neonatologjisë, Hajrije Ismajli. Madje, ajo thotë se për këtë rast është informuar nga zyra për media e QKUK-së.

Ajo në një prononcim  tha se ka kërkuar përgjigje nga i gjithë personeli për këtë çështje.

“Nuk është raportuar për diçka të tillë, megjithatë kemi kërkuar përgjigje nga i gjithë personeli. Në këtë moment nuk mund të them asgjë më shumë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)