Peci flet për 'regres serioz' në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

  • A.P /
  • 01 November 2022 - 18:10
Peci flet për 'regres serioz' në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Kosova do ta humbë kredibilitetin e saj te Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me planin e fundit për zbatimin e përshkallëzuar të vendimit për zëvendësimin e targave që i lëshon Serbia, thotë ish-ambasadori Lulzim Peci. Drejtori i institutit KIPRED sheh “regres serioz” në marrëdhëniet dypalëshe, pasi thotë se Qeveria e Kosovës mori vendim pa u konsultuar paraprakisht me Administratën e Joe Biden. Sipas tij, Perëndimi ka ndërruar modusin e ndërmjetësimit në dialog, dhe një dështim i këtij procesi do të kishte pasoja të paparashikueshme për Kosovën.

Lulzim Peci thotë se vendimi i fundit i Qeverisë mund t’i kushtojë Kosovës me reduktim dhe humbje të përkrahjes nga Perëndimi në skenën ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Europës.

Dialogun e premtuar me serbët brenda vendit, Peci e konsideron si njërin ndër dështimet më të mëdha të kësaj qeverie në politikën e brendshme. Thotë se kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, duhet marrë si shembull se si duhet të ndërtohet besimi me komunitetin serb.

(Kosova Sot Online)