Kurti, Bërnabiq dhe katër liderë tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje për lëvizjen e lirë

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 13:04
Kurti, Bërnabiq dhe katër liderë tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje për lëvizjen e lirë

Gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë vënë nënshkrimet e tyre mbi tri marrëveshje që u dakorduan në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nënshkrimi vjen pas mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrës ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, si nikoqir, si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursul von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, derisa nga Serbia ka shkuar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, krahas katër liderëve të tjerë.

Në fjalën hyrëse të takimit, Scholz tha se këto marrëveshje do t’ia bëjnë më të lehtë jetën qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot do t’i nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë njerëzve jetën. Tregu i përbashkët rajonal do të shtyjë përpara ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshja do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, derisa shtoi se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

(Kosova Sot Online)