“Në përputhje me rregullat e BE-së”, Albin Kurti nga Berlini jep detaje për marrëveshjet me Bërnabiqin dhe liderët tjerë

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 13:58
“Në përputhje me rregullat e BE-së”, Albin Kurti nga Berlini jep detaje për marrëveshjet me Bërnabiqin dhe liderët tjerë

Kryeministri Albin Kurti ka vënë firmën e tij në emër të Kosovës, në tri marrëveshje të cilat u nënshkruan sot pas gati dy vite negocita mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë.

Këto marrëveshje u nënshkruan sot në kuadër të Procesit të Berlinit, përmes të cilit ZKM-ja thotë se “jetësohet Tregu i Përbashkët Rajonal”.

“Bazuar në rregullat e BE-së, marrëveshjet që janë nënshkruar sot janë ato për lëvizjen e lirë me letërnjoftime; për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve”, ka njoftuar ZKM-ja.

Njoftimi i ZKM-së për marrëveshjet:

Përmes marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, qytetarët e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të lëvizin lirshëm duke përdorur vetëm letërnjoftimin e njërës nga shtetet sipas legjislacionit në fuqi. Pas ratifikimit të kësaj marrëveshje, qytetarët e Kosovës dhe Bosnjës dhe Hercegovinës më në fund do të lëvizin lirshëm vetëm me letërnjoftime, duke sjellë Prishtinën dhe Sarajevën afër qytetarëve të dy shteteve tona.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtësuara dhe falas, duke hequr një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda Rajonit.

Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve të ushtrohen lirshëm në secilin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. E bazuar në direktivën e BE-së 2005/36/EC për njohjen e kualifikimeve profesionale, kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve që në shtetin pritës të ushtrojnë të njëjtin profesion për të cilin janë kualifikuar në shtetin amë dhe ta realizojnë këtë në kushte jo më pak të favorshme se sa qytetarët e shtetit pritës.

Republika e Kosovës është e angazhuar për bashkëpunim rajonal dhe do të shtyjë përpara marrëveshje të reja në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, të cilat jetësojnë liritë themelore dhe heqin pengesat e barrierat për zhvillimin e potencialit të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

(Kosova Sot Online)