Ramush Haradinaj i dërgon letër Albin Kurtit, i ka tre kërkesa për të

  • E.K /
  • 03 November 2022 - 14:59
Ramush Haradinaj i dërgon letër Albin Kurtit, i ka tre kërkesa për të

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër kryeministrit Kurti.

Ai tha se i ka kërkuar Kurtit që ta pranojë kërkesën e SHBA-së për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale.

Kërkesa e dytë e Haradinajt është që Kurti “deri në marrëveshjen finale mos të ndërmerrë asnjë veprim që rrezikon sigurinë e vendit, në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me SHBA-të”.

Ndërkaq, kërkesa e tretë e Haradinajt është që Kurti të flasë me këshilltarin nacional, Jake Sullivan, “për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon”

“Iu kam drejtuar me letër kryetarit të Qeverisë së Kosovës, z. Kurti si vijon, pra i kam kërkuar me urgjencë që të pranojë kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afat e kërkuar dhe të ndërpriten të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit në fjalë. Njëkohësisht i kërkoj kryetarit të Qeverisë që deri në marrëveshjen finale mos të ndërmerrë asnjë veprim që rrezikon sigurinë e vendit, në cilën do pjesë të tij, pa koordinim në plotni me SHBA-të. Po ashtu i kam kërkuar kryeministrit që të vëjë kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit Biden, z.Jake Sullivan, për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë  situatën aktuale të sigurisë në rajon deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”, tha ai.

Haradinaj tha se këto kërkesa i ka bërë për shkak të “situatës së sigurisë në veri dhe në brezin kufitar Kosovë-Serbi”.

“Pra janë këto tri kërkesa në letër, të cilat vijnë pas shqetësimin për situatën në veri dhe situatën e sigurisë në brezin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Haradinaj.

(Kosova Sot Online)