Kurti jep detaje çfarë ka biseduar me përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell

  • A.P /
  • 06 November 2022 - 14:24
Kurti jep detaje çfarë ka biseduar me përfaqësuesin e BE-së, Josep Borrell

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  ka thënë se e ka informuar Borrellin se janë shqiptuar 843 fletëqortime dhe se nuk ka pasur asnjë incident.

Kurti, ka njoftuar se çfarë ka biseduar mbrëmë me përfaqësuesin e lart të BE-së, Josep Borrell.

“E informova se nga 843 qortime të dhëna deri më tani nga policia për drejtuesit e makinave me targa ilegale, 0 incidente apo kundërshtime”, ka shkruar Kurti.

Se ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiqin, Borrell e bëri të ditur mbrëmë.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.

Ai tha se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, pasi sipas tij, ky veprim ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

“Ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të Dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”

Borrell i kërkoi Kosovës që të zgjasë menjëherë procesin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndërshkimin e automjeteve me targa KM.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”.

Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet se BE-ja i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

(Kosova Sot Online)