Detaje: Ja si u vra shqiptari me sharrë elektrike dhe u la në mes të pyllit

  • A.P /
  • 07 November 2022 - 19:29
 Detaje: Ja si u vra shqiptari me sharrë elektrike dhe u la në mes të pyllit

Gjetja e trupit të pajetë të 51-vjeçarit shqiptar Ylli Mera në Greqi ka tronditur tërë opinionin publik dhe familjen e të ndierit, të cilët e kërkonin prej një të premtes së 4 nëntorit.

51-vjeçari shqiptar është gjetur i vdekur në një zonë pyjore të Selanikut. Vëllai i Ylli Merës, ka folur për mediat greke në lidhje me ngjarjen e rëndë tek ka thënë se ende nuk kanë informacion të saktë apo zyrtar por vetëm çfarë kanë dëgjuar nga mediat.

“Vëllain e gjetën të vdekur në mal, kishte shkuar atje me një grek, ndoshta për të prerë dru, ende nuk e dimë se çfarë ka ndodhur, por kemi dëgjuar që i është prerë këmba, aty e ka gjetur sharrë elektrike me motor. Kanë punuar bashkë me njeriun që ka shkuar në mal, por nuk di gjë më shumë, në Greqi jam vetëm unë, më vjen shumë keq për këtë ngjarje tragjike që ka ndodhur në familjen tonë, presim të mësojmë më shumë, nga policia që po vijon hetimet”, thotë ai për mediat greke.

Që në momentin e parë që u raportua për zhdukjen e tij policia nisi kërkimet intensive për gjetjen e tij, ndërsa grumbulloi edhe dëshmitë e personave që e njihnin mirë 51-vjeçarin dhe programin që ai ndiqte.

Pasditen e së dielës, punonjësit e Policisë greke me ndihmën e qenit të policisë kanë arritur ta lokalizojnë trupin e pajetë të shqiptarit në një zonë malore të Bashkisë së Volvit. Burri u gjet në gjendje të mjerueshme, pa ndjenja dhe pranë trupit të tij të pajetë kishte shenja gjaku, si pasojë e plagës me sharrë elektrike në kofshë.

Sipas dëshmive të banorëve të fshatit për mediat greke, 51-vjeçari e njihte dhe kishte marrëdhënie shumë të mira me 59-vjeçarin me të cilin kanë shkuar në mal ditën e martë për prerje të paligjshme të druve. Sipas tyre nuk ishte hera e parë që të dy ata shkonin bashkë për të prerë dru dhe më pas i shisnin në zonë. Viktima dyshohet se do të merrte një shumë si punëtor, ndërsa 59-vjeçari mbante fitimin nga shitjet.

Mirëpo mesa duket këtë herë gjërat morën një rrjedhë krejtësisht tjetër teksa të dy burrat ndodheshin ne mal. Gjatë punës dhe ende nuk dihet sesi, 59-vjeçari ka plagosur veten me sharrë elektrike, ndërsa viktima ka mbetur i plagosur për vdekje nga mjeti prerës në kofshë.

Ajo që ngre pikëpyetje serioze është fakti se 59-vjeçari ka kontaktuar të birin për ta çuar në qendrën shëndetësore të zonës, por e ka lënë viktimën të vetëm dhe të pafuqishëm në pyll e për pasojë ka humbur jetën tragjikisht.

Gjithashtu, siç konstatohet nga hetimet policore, 59-vjeçari ka marrë me vete celularin e viktimës dhe e ka hedhur në asfalt gjatë rrugëtimit.

Në kontrollet e kryera nga policia në shtëpinë e 59-vjeçarit dhe në automjetin e djalit të tij 28-vjeçar, u gjetën gjithsej pesë thika, ndaj të dy personat u arrestuan për armëmbajtje pa leje. Dy të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Selanikut, ndërsa dosja, e cila është ngritur jashtë kufijve të vetë inkriminimit ndaj 59-vjeçarit dhe ka të bëjë me plagosjen për vdekje të 51-vjeçarit, i është dorëzuar organit kompetent gjyqësor.

Bëhet e ditur se 59-vjeçari nuk ka treguar për vendndodhjen e trupit të pajetë të shqiptarit.

I gjithë fshati në të cilin jetonte shqiptari është tronditur nga ngjarja tragjike.

“Nuk kishte burrë më të mirë. Ai jetonte prej vitesh këtu dhe nuk kishte dhënë as të drejtën më të vogël askund. Dëgjuam që Kosta (siç e quanin në Greqi) kishte shkuar në mal dhe se kishte humbur jetën. Kishte shkuar disa herë për punë, për të prerë dru. Dy burrat kishin shkuar shumë herë bashkë”, tregon për protothema.gr, një banor i fshatit që i njihte të dy burrat prej shumë vitesh.


(Kosova Sot Online)