Stano: Ekziston një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, për themelimin e Asociacionit

  • A.P /
  • 09 November 2022 - 16:04
Stano: Ekziston një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, për themelimin e Asociacionit

Marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Parlamenti i Kosovës me një shumicë të cilësuar prej 2/3, dhe kësisoj, Kosova ndërmori një obligim ndërkombëtar për ta zbatuar atë, ka theksuar Zëdhënësi i BE-së Peter Stano.

“Gjykimi i vitit 2015 i Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin/Bashkësinë keqinterpretohet në mënyrë të rregullt. Gjykata nuk tha kurrë që Asociacioni/Bashkësia nuk duhet themeluar. Ndaj ne presim që Kosova të respektojë zotimet që ka marrë përsipër në Dialog”, ka deklaruar Stano, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".


Peter Stano vuri në dukje se ekziston një obligim ligjor i detyrueshëm për Kosovën, që ajo të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Moszbatimi i vazhdueshëm i këtij obligimi cenon jo vetëm parimin e sundimit të ligjit në Kosovë, por edhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, tha Stano.


Ky qortim vjen në një kohë kur BE-ja i druhet një përshkallëzimi të situatës në Kosovë, teksa lufta në Ukrainë është në muajin e saj të nëntë. “Për momentin, prioritet është de-eskalimi i situatës në terren. Gjatë ditëve të fundit, kemi parë përshkallëzim shumë të rrezikshëm dhe zhvillime të cilat po vënë në rrezik vite të tëra pune të palodhur dhe arritjesh. Kjo ka pasoja jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, tha Stano.

Kërkesat e vazhdueshme nga Bashkimi Europian për themelimin e Asociacionit, krahas kritikave për vonesën e Kosovës në përmbushjen e marrëveshjes në fjalë, janë intensifikuar gjatë muajve të fundit, kohë kur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë ndoshta në pikën më të lartë gjatë dekadës së fundit. Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja kërkuan nga Kryeministri Albin Kurti një shtyrje të dytë prej 10 muajsh të afatit për zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve serbe në Kosovë – diçka që nuk u pranua – krijimi i Asociacionit është tema tjetër, më afatgjatë e presionit nga bashkësia ndërkombëtare.

 


(Kosova Sot Online)