Kryeministri Albin Kurti shkon në Paris me propozim planin për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

  • S.A /
  • 10 November 2022 - 12:35
Kryeministri Albin Kurti  shkon  në Paris  me  propozim planin për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti  nuk ka shkuar me duar në xhepa në kryeqytetin e Frances Paris. Atje ka udhëtuar duke  marrë me vete  për prezantim edhe propozim planin me njohje në qendër,  sado që propozimi franko-gjerman s’e ka atë në përmbajtjen e tij.

Kryeministri Kurti tha se do të jenë dy propozime në tavolinë, kur ai dhe Vuçiqi të takohen, me ndërmjetësim të BE-së. Njëri është pripozimi  i tij e tjetri, propozimi  franko-gjerman.  Sipas Kryeministrit Kurti, momenti i kthesës në dialog ka qenë 18 gushti. Në takimin e tij me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, që u thirr për të evituar eskalimin e situatës në veri, Kurti  pati thënë se u fol për herë të parë për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes Kosovë-Serbi.  Ai  kishte dorëzuar një propozim se si duhet të duket sipas tij marrëveshja e përgjithshme me Serbinë. Dhe, ky propozim  do të jetë në tavolinë edhe në takimin me Vuçiqin që “ndoshta” mund të ndodhë sot në Paris.

“I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne”, ka thënë Kryeministrit Kurti, transmeton "Kosova Sot Online ".

Propozimi i Kurtit më 18 gusht

Kurti kishte heshtur rreth një javë pas takimit me Vuçiqin, ndërsa Presidenti serb dhe zyrtarë të tjerë të Beogradit nisën menjëherë të zbulonin se cka ka propozuar Kryeministri i Kosovës në Bruksel.

Kur kaloi një javë prej takimit, Kurti vendosi të flasë. Ai tha se ishte kreativ dhe konstruktiv në takim dhe se po, kishte propozuar një ide për marrëveshje me gjashtë kapituj.

“Marrëveshja duhet të jetë ndërkombëtarisht ligjërisht e obligueshme, duhet të jetë finale, për normalizim të plotë bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e që në qendër duhet ta ketë njohjen në reciprok”.

“Kam shkuar me propozime konkrete. Në pikën fillestare dhe kryesore që është korniza gjithëpërfshirëse e përgjithshme e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve unë kam prezantuar një ide me 6 kapituj dhe me elemente përkatëse se si do të duhej të duket ajo kornizë e përgjithshme e marrëveshjes me elementet përkatëse. Pra, unë kam propozuar konkretisht. Ai që propozon konkretisht është konstruktiv, është ndihmues, kreativ dhe ky kam qenë unë në takimin e 18 gushtit”, pati treguar Kurti.

 Kurti akuzonte Vuçiqin që në takimin e 18 gushtit kishte shkuar “i papërgatitur”. Për Kurtin, marrëveshja e përgjithshme mund të nënshkruhej edhe atë ditë.

“Ai ishte takim i liderëve të dy shteteve për marrëveshje, që të dialogojmë për marrëveshje duhet të merremi vesh për kornizën e përgjithshme. Unë shkova i përgatitur, pala tjetër ka ardh totalisht e papërgatitur. Jam i interesuar për marrëveshje, sa më parë aq më mirë dhe sa për mua do të duhej të nënshkruhej më 18 gusht”, ishte shprehur Kurti.

Javën e kaluar, pas takimit në Samitin e Berlinit dhe para braktisjes së institucioneve nga serbët e veriut, Kurti tha se po bëhen hapa në rrugën e duhur për marrëveshjen.

“Jemi në rrugën e  duhur për të diskutuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes sepse deri më tani shpesh herë është diskutuar për hapa të vegjël dhe momenti i ndryshimit ka qenë takimi në Bruksel më 18 gusht”

Prej 18 gushtit, Kurti më s’ka pasur takim me Vuçiqin, për të dialoguar. Sot, pritet që një i tillë të ndodhë në Paris.

Por, nga 18 gushti ka pasur zhvillime mes Kosovës dhe Serbisë, me epiqendër veriun e Kosovës. Ka nisur të zbatohet vendimi i Qeverisë, sipas marrëveshjes së Brukselit, për heqjen nga përdorimi i targave ilegale që i lëshon Serbia për rajone të Kosovës.

Serbët e veriut, të drejtuar nga Lista Serbe që i shërben Vuçiqit, kanë lënë vendet e tyre të punës nëpër institucione publike të Kosovës.

Ndërkombëtarët po i kërkojnë Kurtit që të ndalojë së zbatuari vendimin për konvertimin e targave dhe ta shtyjë atë për 10 muaj dhe të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbëve u kërkohet të kthehen në vendet e tyre të punës. 

(Kosova Sot Online )