Escobar: Kosova të përmbushë kërkesat për çështjen targave dhe themelimin e Asociacionit

  • A.P /
  • 10 November 2022 - 18:50
Escobar: Kosova të përmbushë kërkesat për çështjen targave dhe themelimin e Asociacionit

Kosova duhet të përmbushë kërkesat perëndimore për çështjen targave të makinave dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë i është bërë e qartë se tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës është e padobishme, ka deklaruar I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai e vlerësoi mjaft të rrezikshme situatën në veriun e Kosovës ku institucionet vendase kanë mbetur pa punonjës serbë.

“Ne kemi qenë shumë të qartë dhe të hapur se çfarë presim nga të dyja palët. Nga pala e Kosovës kemi kërkuar një periudhë njëvjeçare të zbatimit për të bërë një fushatë publike të njoftimit dhe për të përgatitur komunitetin e prekur, që të jetë i gatshëm të ndërrojë targat e makinave. Ne po ashtu po u bëjmë thirrje që të fillojnë ta vënë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në rend dite. Kjo është një kërkesë. Nga pikëpamja jonë dhe ajo e partnerëve të Quintit, kjo është një kërkesë dhe ne do të ngulim këmbë. Nga pala serbe, ne mendojmë se çdo protestë duhet të jetë paqësore dhe largimi i serbëve nga institucionet nuk është i dobishëm. U bëj thirrje palëve që të jenë gati të përmbushin këto çështje menjëherë”, tha ai.

Sipas tij  koha është për më shumë dialog dhe se Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta gjatë procesit të bisedimeve se cilat janë pritshmëritë nga pala e Kosovës.


“Ne kemi qenë po ashtu shumë të qartë me palën serbe se pajtohemi që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë në rendin e ditës. Unë kam biseduar më një gamë të gjerë zërash brenda Kosovës që e mbështesin këtë dhe janë të vullnetshëm të ndihmojnë Kosovën të përmbushë detyrimet ndërkombëtare për këtë çështje”, tha zoti Escobar.

(Kosova Sot Online)