Ish-ministri Latifi flet për shëndetësinë në Kosovë, "është rrënuar nga korrupsioni"

  • E.K /
  • 11 November 2022 - 08:05
Ish-ministri Latifi flet për shëndetësinë në Kosovë,

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, në Bruksel ka takuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viol Von Cramon bashkë me euro deputetët, Lukas Mandl, Radovan Kanev, Karlo Ressler dhe Andreas Schiedler.

Latifi gjatë këtij takimi ka thënë për shëndetësinë në Kosovë se është rrënuar nga korrupsioni.

Ish-ministri i Shëndetësisë, ka shtuar se shëndetësia në vendin tonë është lënë pas dorë, transmeton "Kosova Sot Online".

“Shëndetësia e Kosovës ishte injoruar dhe e lënë pas dore, është keqmenaxhuar, është rrënuar nga korrupsioni madhor në të gjitha shtresat e shërbimeve shëndetësore dhe e segmentuar politikisht në forma të ndryshme për tri dekada. Andaj, mund të karakterizohet me siguri edhe me cilësi të ulët të shërbimeve klinike, mungesë të ekspertizës dhe aftësive klinike, mungesë të infrastrukturës moderne, e mbi të gjitha mungesës së aftësive menaxheriale, të cilat në masë të madhe e mbisundojnë sistemin shëndetësor të Kosovës. Shumica e pacientëve me diagnoza komplekse (dhe disa me probleme relativisht të thjeshta kirurgjikale ose mjekësore) dërgohen institucioneve publike ose jashtë vendit për trajtim, me një kosto astronomike”, është shprehur Latifi.

“Infrastruktura spitalore është e vjetër, ose e cilësisë së ulët dhe janë të shumta objektet spitalore të filluara, por jo të përfunduara ose të papërfunduara prej shumë vitesh për arsye të ndryshme, që duken si ndërtesa fantazmë që shpërbëhen vit pas viti”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)