'Moska ndez konfliktin në Kosovë, shpërthimi edhe më afër Italisë'

  • A.P /
  • 13 November 2022 - 16:15
'Moska ndez konfliktin në Kosovë, shpërthimi edhe më afër Italisë'

“Moska ndez konfliktin në Kosovë”, është titulli i gazetës italiane La Repubblica për zhvillimet e fundit në veri të vendit.

Gazeta italiane shkruan se politikanët dhe policët serbë kanë dhënë dorëheqje në shenjë proteste kundër Qeverisë së Kosovës dhe se për këtë “kryeministri akuzon Rusinë” dhe se “Beogradi e ka vënë ushtrinë në gatishmëri, ”transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Këtë herë shpërthimi është edhe më afër Italisë shkruan La Repubblica. Një zjarr mbi të cilin fryjnë me kokëfortësi emisarët e Kremlinit, me të njëjtin qëllim si për pushtimin e Ukrainës: të vënë në dyshim arkitekturën e sigurisë në Evropë të projektuar në tridhjetë vitet e fundit. Duke filluar nga ku filloi gjithçka: Ballkani.

Serbët  janë mbledhur në Mitrovicën Veriore, ku është mbajtur një tubim protestues i quajtur Lista Serbe.

Para zyrtarëve të kësaj partie, policët serbë të shtunën kanë hequr uniformat e Policisë së Kosovës. Sipas Listës Serbe, në institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë dhe Parlamentin, nuk ka më serb. Ky vendim ka ardhur pas refuzimit të Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga vendimi për ndërrimin e targave të automjeteve, të cilat lëshohen nga Serbia.

Thirrjes së Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, për t'u larguar nga institucionet e Kosovës, sot i janë përgjigjur katër kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të cilët edhe zyrtarisht kanë dorëzuar dorëheqjen. Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të komunës veriore, edhe këshilltarët nga radhët e Listës Serbe kanë vendosur që të largohen nga postet e tyre. Ish-kryetari i Mitrovicës Veriore, Milan Radojevic, ka thënë se arsyeja e dorëheqjes së tij është gjendja aktuale politike e shkaktuar nga lëvizjet e njëanshme të pushtetit në Prishtinë.

Aksioni i zyrtarëve serbë në veri të Kosovës vjen vetëm një ditë pasi komandantët e Policisë së Kosovës që i përkasin komunitetit serb hoqën uniformat të shtunën.

Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse edhe rreth 400 zyrtarë të tjerë të komunitetit serb në katër komunat veriore e kanë braktisur këtë institucion. Dorëheqje kanë dhënë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe drejtues të sistemit gjyqësor.

Ata kanë bërë të ditur se nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës derisa Qeveria e Albin Kurtit të tërheqë vendimin për targa dhe të fillojë punën për formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe. Në pikën kufitare në Jarinje është rritur numri i anëtarëve të misionit EULEX. Aktualisht situata është e qetë dhe nuk raportohet për ndonjë incident.

Mirëpo, një video e publikuar në rrjetet sociale ka shtuar frikën për nxitjen e tensioneve. Në pamjet shihet një automjet me targa të paligjshme KM dhe disa persona të maskuar të cilët janë të armatosur. “Ne jemi kthyer, Kosova është Serbi, Krimea është Rusia” dëgjohen njerëzit në video.

Megjithatë, video nuk mund të konfirmohet nëse është xhiruar ditët e fundit apo është një xhirim i vjetër i vitit 2014.

(Kosova Sot Online)