Stoltenberg: Një raketë ukrainase ka rënë në Poloni

  • A.P /
  • 16 November 2022 - 15:31
Stoltenberg: Një raketë ukrainase ka rënë në Poloni

NATO nuk ka asnjë tregues se shpërthimet në Poloni ishin një sulm i qëllimshëm dhe duket se ato ishin raketa ukrainase të lëshuara për t'u mbrojtur nga sulmet ruse, tha të mërkurën Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Hetimi për atë incident është duke vazhduar dhe ne duhet të presim për rezultatet, por analiza jonë paraprake tregon se incidenti ndoshta është shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase për të mbrojtur territorin e saj kundër raketave ruse”, tha Stoltenberg transmeton gazeta “Kosova Sot Online”, në një konferencë për shtyp. pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, i përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të NATO-s.

Stoltenberg tha se Ukraina nuk mund të fajësohet për incidentin, por se përgjegjësia përfundimtare është e Rusisë, e cila vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës.

“Për të qenë i qartë, ky nuk është faji i Ukrainës. “Rusia mban përgjegjësinë për atë që ndodhi dje në Poloni, sepse është rezultat i drejtpërdrejtë i luftës dhe një sërë sulmesh nga Rusia ndaj Ukrainës”, thotë Sekretari i Përgjithshëm.

Stoltenberg njoftoi se të mërkurën pasdite do të mbahet një videotakim i ministrave të mbrojtjes të rreth 50 vendeve që përbëjnë Grupin e Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës dhe tema kryesore do të jetë mbrojtja ajrore.

(Kosova Sot Online)