Albin Kurti: Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro

  • E.K /
  • 17 November 2022 - 13:12
Albin Kurti: Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit para deputetëve Projektligjin në parim për buxhetin , ka treguar se buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro,përcjell "Kosova Sot Online".

Kurti ka treguar kanë ndarë 296 milionë për fushën e shëndetësisë, duke thënë "Më së shumti ndonjë herë që nga prej shpalljes së pavarësisë".

“Kemi një projeksion mjaft pozitiv për vitin e ardhshëm fiskal, buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 884 milionë euro, me ç’rast kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë paga dhe mëditje, 493 milionë euro në kategorinë mallra dhe shërbime. Ndërsa 1 miliard e 98 milionë euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro për shpenzime kapitale. Për sa i përket projekteve specifike ato reflektojnë në programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet, kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti ndonjë herë që nga prej shpalljes së pavarësisë… Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes”, u shpreh Kurti.

(Kosova Sot Online)