Haki Abazi del me një propozim “strategjik” për Kryeministrin Kurti: Si të dilet nga kriza nga vendimi për targat në prag të 21 nëntorit

  • S.A /
  • 18 November 2022 - 12:38
Haki Abazi del me  një propozim “strategjik” për Kryeministrin Kurti:  Si të dilet nga kriza nga vendimi për targat në prag të 21 nëntorit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi në konferencën e sotme për media ka folur edhe për situatën e krijuar në veri të vendit dhe afrimin e datës 21 nëntor kur edhe skadon masa e qortimit dhe fillon shqiptimi i gjobave për ata që vazhdojnë të lëvizin nëpër rrugët e Kosovës me targa ilegale.

Abazi ka thënë se duhet gjetur zgjidhje kompromisi, ngase  të gjithë janë të alarmuar, në veçanti partnerët ndërkombëtarë për mundësinë e përshkallëzimit të situatës teksa po afrohet 21 nëntori, transmeton "Kosova Sot Online".

Abazi tha se  Serbia është e paparashikueshme në veprimet e saj dhe për Kosovën është e rëndësishme që qytetarët në veri të jenë të sigurt sikur çdo qytetarë tjetër në Kosovë. “Po i afrohemi 21 nëntorit. Të gjithë janë të alarmuar, përfshirë edhe partnerët ndërkombëtar për mundësinë e përshkallëzimit të situatës. Natyrisht kjo brengosje është edhe këtu tek ne. Serbia është e paparashikueshme në atë çfarë mund të bëjë. Për ne është e rëndësishme që qytetarët në veri të vendit të ndjehen të sigurt si çdo qytetarë në Kosovë”, ka thënë Abazi.

Deputeti kosovar tutje ka thënë se strategjia për të dalë nga një situatë e tillë dhe për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi  është kthimi në tavolinën e negociatave dhe koordinimi me shtetet partnere për planin e përgjithshëm përtej dialogut për të parandaluar çfarëdo eskalimi.

“Strategjia dalëse nga kjo situatë, për t’ia hequr Serbisë çfarëdo justifikimi, duhet të na kthejë në tavolinën e bisedimeve dhe koordinimit me shtetet partnere për të dakorduar qëndrimet dhe planin e përgjithshëm përtej dialogut, për të parandaluar çfarëdo përshkallëzimi të situatës”, ka thënë Abazi.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të ketë transparencë në procesin e negociatave na Qeveria e Republikës së Kosovës, në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar se çfarë po propozon Kosova apo çfarë po diskutohet.

(Kosova Sot Online )