Alex Whiting, që kryesoi hetimet në gjykimin e Fatmir Limajt zëvëndëson Jack Smithin pas dorëheqjes

  • S.A /
  • 19 November 2022 - 09:02
Alex Whiting,  që kryesoi hetimet në gjykimin e Fatmir Limajt zëvëndëson Jack Smithin  pas dorëheqjes

Alex Whiting është caktuar ushtrues detyre i Prokurorit të Specializuar, duke zëvendësuar kështu Jack Smith, i cili ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Në njoftimin për media bëhet e ditur se Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.

“Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, thuhet në njoftim.

Kush është Alex Whiting?

Whiting, 58 vjeç, është prokuror me kombësi franko-amerikane me përvojë të gjerë në procedime penale në nivel vendor dhe ndërkombëtar. Ka punuar në ZPS që nga qershori i vitit 2019, fillimisht si Udhëheqës i Hetimeve, dhe duke filluar nga muaji gusht 2020 si Zëvendësprokuror i Specializuar.

Whiting ka ardhur në ZPS nga Fakulteti Juridik i Harvardit, ku ka punuar si profesor i praktikës ligjore që nga viti 2013.

Midis vitit 2010 dhe 2013, z. Whiting ka qenë pjesë e Zyrës së Prokurorit në GJPN ku ka punuar fillimisht si Koordinator i Hetimeve, duke mbikëqyrur të gjitha hetimet, dhe pastaj si Koordinator i Procedimeve Penale, duke mbikëqyrur të gjitha ndjekjet penale.

Përpara se të bëhej pjesë e GJPN-së, Whiting ka dhënë mësim për tre vite si ndihmës profesor juridik i praktikës në Fakultetin Juridik të Harvardit.

Midis vitit 2002 dhe 2007, Whiting ka punuar për Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish- Jugosllavinë (TPNJ) ku ka qenë kryeprokurori i çeshtjes në gjykimin e Fatmir Limaj, Isak Musliu, dhe Haradin Bala, dhe kryeprokuror i çeshtjes në gjykimet e Milan Martiq dhe Dragomir Millosheviq.

Përpara se të bëhej pjesë e TPNJ-së, Whiting ka qenë prokuror federal në SHBA, fillimisht në Departamentin e Çeshtjeve Penale në Divizionin për të Drejtat Civile në Uashington DC dhe pastaj me Zyrën e Prokurorit të SHBA-së në Boston, Massachusetts, ku është përqendruar në raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Whiting është i diplomuar nga Kolegji Yale dhe nga Fakulteti Juridik i Yale.

Ndryshe, dorëheqja e Jack Smith u njoftua një ditë më parë. Ai largohet nga ZPS-ja dhe merr postin e Këshilltarit Special në Shtetet e Bashkuara për të mbikëqyrur dy hetime penale në zhvillim, i emëruar në këtë post nga Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick B. Garland.

Smith ishte emëruar Prokuror i Specializuar në maj të vitit 2018 dhe ka marrë funksionet e tij në shtator 2018.

(Kosova Sot Online )