Bullgaria akuzon disa të dyshuar për sulmin në Stamboll

  • A.P /
  • 20 November 2022 - 15:48
Bullgaria akuzon disa të dyshuar për sulmin në Stamboll

Prokurorët bullgarë kanë akuzuar pesë persona për mbështetje të “akteve terroriste” në lidhje me një shpërthim në qendër të Stambollit që vrau gjashtë persona më 13 nëntor, tha të shtunën kryeprokurori Ivan Geshev, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Forcat e policisë speciale bullgare arrestuan tre burra me origjinë moldave dhe një burrë e grua me origjinë kurde siriane këtë javë pas hetimeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me prokurorët në Turqinë fqinje, tha Geshev për agjencinë e lajmeve Reuters.

“Pesë persona janë akuzuar. Akuzat janë në dy grupe: për mbështetje të akteve terroriste në një vend tjetër, përkatësisht sulmin në Stamboll, dhe për trafikim njerëzor”, tha Geshev, duke shtuar se ata ishin të përfshirë kryesisht në trafikim njerëzor përmes Turqisë dhe kontrabandë.

Një gjykatë bullgare vendosi në një seancë të mbyllur më vonë të shtunën se katër burrat mund të mbaheshin në paraburgim për akuzat e trafikimit të qenieve njerëzore, duke thënë se nuk kishte prova të mjaftueshme për t'i mbajtur ata pas hekurave për akuzat e mbështetjes së aktiviteteve terroriste.

(Kosova Sot Online)