KQZ vendos që afati për certifikim të subjekteve politike në veri të shtyhet

  • A.P /
  • 21 November 2022 - 16:35
KQZ vendos që afati për certifikim të subjekteve politike në veri të shtyhet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti në mënyrë elektronike mbledhjen e radhës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.


Në këtë mbledhje, KQZ-ja mori vendim për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Sipas vendimit të KQZ-së, afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve i paraparë të përfundojë më 21 nëntor është shtyrë deri më 25 nëntor 2022.

Rrjedhimisht, është shtyrë edhe afati për vendimmarrjen e KQZ-së për certifikimin ose jo të subjekteve politike dhe kandidatëve nga 26 nëntori në 28 nëntor 2022.

Po ashtu, KQZ-ja ka ndryshuar edhe afatin për emërimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në katër komunat ku do të mbahen zgjedhjet. Sipas vendimit të KQZ-së ky afat do të shtyhet deri më 28 nëntor 2022.

Sa i përket afatit për aplikim për certifikim të subjekteve politike i cili ka filluar më 15 nëntor, ju njoftoj se deri tani, më 21 nëntor, KQZ-ja ka pranuar dy aplikime për certifikim. Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës ka aplikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme si dhe ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa subjekti tjetër politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

(Kosova Sot Online)