Kurti: Për gjetjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë të angazhuar Brukseli dhe Washingtoni

  • A.P /
  • 22 November 2022 - 16:38
Kurti: Për gjetjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë të angazhuar Brukseli dhe Washingtoni

Për gjetjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë janë të angazhuar Brukseli dhe Washingtoni dhe se shumë shpejt do merret vesh cili do të jetë rezultati, ka deklaruar Kryeministri Albin Kurti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai theksoi se për këtë çështje edhe ai është në pritje se çfarë do të ndodhë meqë Brukseli dhe Washingtoni janë në komunikim të drejtpërdrejtë.

“Tash janë duke diskutuar Brukseli dhe Washingtoni dhe unë besoj se shumë shpejt do ta mund ta marrim vesh këtë. Unë jam në kontakt të shpeshtë me të dy këto instanca supreme të demokracisë sot në botë, SHBA dhe BE, e ta shohim se çfarë do të dalë. Kjo nuk është një gjë për të cilën duhet të presim me javë, sepse e kemi ditën e sotme dhe të nesërme”, tha Kurti në një deklarim për gazetarë në Prizren ku ai qëndroi gjithë ditën e foli për rininë e buxhetin.

Kurti tha se për gjetjen e një zgjidhje duhet të ketë unitet në Kosovë nga të gjithë dhe shtoi se janë duke u përpjekur maksimalisht.


“Ajo çfarë mund të them sot është se përpjekjet i kemi maksimale dhe se na nevojitet mbështetja vendore e ndërkombëtare për këto përpjekje që brenda 48 orëve të vijmë me një dakordim. Pra, nuk e kam asnjë sekondë që të mendoj se si kjo mund të mos ketë sukses. Nuk i kemi më as 48 orë, ndoshta 36 orë. Prandaj, s’e kam asnjë sekondë të mendoj se si mund të dështojë kjo gjë. Vendorët, ndërkombëtarët, shteti i Kosovës me institucione, presidentja, kryeparlamentari, unë e gjithë qeveria dhe ambasadorët këtu, ambasadorët e QUINT-it, ambasadori i BE-së, Brukseli, Washingtoni, Parisi, Berlini – që të gjithë janë të angazhuar që të ketë sukses, prandaj sot s’është koha që të flasim për shtyrje të tjera e për dështime që mund të ndodhin. Ne jemi optimistë”.

(Kosova Sot Online)