Papa Françesku largon drejtuesit e Caritas, emëron administratorin e përkohshëm

  • A.P /
  • 22 November 2022 - 17:01
Papa Françesku largon drejtuesit e Caritas, emëron administratorin e përkohshëm

Papa Françesku hoqi të martën të gjithë udhëheqjen e një konfederate ndërkombëtare bamirësie dhe emëroi një administrator të përkohshëm për të përmirësuar menaxhimin e organizatës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Papa Françesku nxori një dekret më 22 nëntor duke emëruar Pier Francesco Pinelli, një konsulent italian menaxherial, si administrator të përkohshëm të Caritas Internationalis (CI).

Me të njëjtën urdhëresë, Papa tha se pozicionet e udhëheqjes së konfederatës katolike do të pushojnë menjëherë.

Ky vendim përfshin presidentin e Caritas Internationalis, kardinalin Luis Antonio Tagle dhe sekretarin e përgjithshëm Aloysius John. Përfundojnë edhe postet e nënkryetarëve, arkëtarit, ndihmësit kishtar, këshillit ekzekutiv dhe këshillit përfaqësues.

Një deklaratë për shtyp tha se një rishikim i pavarur gjeti mangësi në "menaxhimin dhe procedurat e Caritas Internationalis, duke paragjykuar seriozisht shpirtin e ekipit dhe moralin e stafit".

Caritas Internationalis, i themeluar në vitin 1951, është një konfederatë katolike e 162 organizatave bamirëse me bazë në 200 vende të botës. Selia e saj ndodhet në territorin e Vatikanit në Romë dhe Vatikani mbikëqyr veprimtarinë e tij.

Qeverisja e Caritas Internationalis zgjidhet për mandate katërvjeçare gjatë asamblesë së përgjithshme të organizatës. Asambleja e ardhshme e përgjithshme është caktuar për në maj 2023.

Sipas një njoftimi për shtyp të 22 nëntorit, administratori i përkohshëm, Pinelli, do të kryejë shërbimin e tij në konsultim me Dikasterin për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor, i cili drejtohet nga kardinali Michael Czerny, SJ.

Në njoftimin për shtyp të dikasterit thuhej se zyra e zhvillimit njerëzor të Vatikanit porositi një rishikim të pavarur të vendit të punës të Caritas Internationalis këtë vit.

(Kosova Sot Online)