Stano: BE do bëjë çdo gjë që mundet që Kosova dhe Serbia të gjejnë kompromisin

  • A.P /
  • 25 November 2022 - 19:41
Stano: BE do bëjë çdo gjë që mundet që Kosova dhe Serbia të gjejnë kompromisin

Për marrëveshjen Kosovë-Serbi mbi targat, afatin e marsit 2023 për arritjen e një marrëveshjeje dhe për mundësinë që BE-ja si ndërmjetësues t’i jap fund procesit negociator,  ka folur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano,   transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Stano ka thënë se afatet janë në duart e palëve.

“Kur flasim për urgjencë, dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon më shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend që të përcaktojmë afate artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritën e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit permanent të krizës te metoda e pajtimit. Nuk jemi ne që përcaktojmë afatet. Afatet janë krejtësisht në duart e palëve, në përfitimin e qytetarëve të tyre dhe Bashkimi Europian do bëjë çdo gjë që mundet që palët të gjejnë kompromisin. Por u takon palëve që të gjejnë kurajon për të arritur në kompromiset e nevojshme me frymën europiane”, ka deklaruar Stano.


I pyetur lidhur me mundësinë që BE t’i jap fund procesit negociator, në rast se njëra palë ose tjetra bllokon procesin, Stano ka thënë se në natyrën e BE-së është të fokusohet te rezultati dhe jo te dështimi.

“Natyra e Bashkimit Evropian është të fokusohet te rezultatet, të fokusohet te suksesi dhe jo dështimi. Është e rëndësishme të cilësohet se çfarë mund të ndodhë në rast dështimi, por do ishte më mirë të mos spekulohej lidhur me mundësinë për të braktisur apo për t’i dhënë  fund procesit. Sidomos pas marrëveshjes së arritur këtë javë, ne kemi një momentum. Kjo marrëveshje hap vërtet rrugën drejt punës vendimtare për të ecur përpara me procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Te kjo po fokusohemi dhe presim që të dyja palët të punojnë në këtë drejtim dhe të gjejnë zgjidhje evropiane me një mënyrë evropiane”, ka deklaruar Stano.

(Kosova Sot Online)