Putin takon nënat e ushtarëve në front: "Rusia do t'i arrijë qëllimet e saj"

  • A.P /
  • 25 November 2022 - 20:00
Putin takon nënat e ushtarëve në front:

Vladimir Putin takoi disa nëna të ushtarëve të përfshirë në luftën në Ukrainë. Takimi - njofton agjencia e lajmeve "RIA Novosti" - u organizua në kuadër të festës së nënës, e planifikuar në Rusi për të dielën më 27 nëntor. Dhe ishte një mundësi për presidentin rus që të fliste edhe për zhvillimet në fushën ushtarake, pas avancimit të fundit të forcave ukrainase në Kherson, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në takimin e tij me nënat e ushtarëve, presidenti i Kremlinit vuri në dukje se për ta, Dita e Nënës këtë vit shoqërohet me ndjenja ankthi dhe shqetësimi. Putin theksoi se i gjithë vendi ndan dhimbjen e familjeve që humbën fëmijët e tyre gjatë operacionit special dhe autoritetet ruse janë të gatshme të ofrojnë të gjithë mbështetjen e nevojshme.

Për më tepër, presidenti rus këshilloi gratë që të mos besojnë atë që lexojnë në internet ose në TV sepse – tha ai – “informacioni mund të përdoret si një armë mjaft efektive”. "Jeta është më e ndërlikuar se ajo që shfaqet në ekranet televizive apo edhe në internet - tha Putin - asgjë nuk mund t'i besohet, ka shumë falsifikime, mashtrime, gënjeshtra". Në këtë drejtim, presidenti vuri në dukje se me teknologjinë moderne përdorimi i informacionit është bërë një lloj arme "veçanërisht relevante dhe efektive". Pikërisht për këtë, theksoi ai, ka dashur të takohet drejtpërdrejt me nënat e rezervistëve, pasi në vend që t'u besojë informacioneve që merr "nga burime të ndryshme", Putin ka preferuar të përballet personalisht me qytetarët për të zbuluar shqetësimet e tyre dhe sugjerime. “Do të përpiqem të sigurohem që gjithçka për të cilën flasim sot të merret parasysh dhe të përdoret në jetën reale”, përfundoi Putin.


(Kosova Sot Online)