A ishte kjo përgjigje e Ramës për Kurtin në prag të festës së 28 nëntorit!

  • A.P /
  • 27 November 2022 - 12:33
A ishte kjo përgjigje e Ramës për Kurtin në prag të festës së 28 nëntorit!

Në prag të festës së 28 nëntorit, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë për herë të parë mbajtën një mbledhje të përbashkët në Tiranë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pjesë e kësaj seance të veçantë ishin edhe dy kryeministrat, Albin Kurti dhe Edi Rama, të cilët nga foltorja folën për historinë e të ardhmen e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit.


Kurti tha se si dy shtete,  Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, por jo edhe ta pengojnë.


“Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar”, tha Kurti në foltore.

Por, krejt të kundërtën e tha Rama kur doli në foltore. Ai tha se duhet bërë çmos për ta penguar njëri-tjetrin.

“Po rikthehem aty ku u nisa me ata të cilët i hapën rrugë, shumë kohë më parë, mundësive që ne patëm më pas. Një pjesë të mundësive ne e shfrytëzuam, ne shqiptarët flas, një pjesë të mundësive ne e huqëm në një pjesë të konsiderueshme të kësaj bashkëjetesës sonë në këtë që quhet trualli i Shqipërisë. Ne bëmë çmos dhe vazhdojmë të bëjmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin, herë me sukses herë pas sukses, por sot që është një ditë e mirë, e bukur është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht do të donim ose s’do donin njëri-tjetrin qoftë edhe në një mëhallë në jetën e përditshme”.

Pas kësaj, Rama tha se do që dy emra t’i sjellë këtu në vëmendje “pa të cilët s’do të kuptohet dot as ardhja deri në këtë ditë as vazhdimësia përtej kësaj dite – LDK dhe UÇK”.


(Kosova Sot Online)