Përparim Rama paralajmëron themelimin e policisë së kryeqytetit

  • A.P /
  • 28 November 2022 - 17:26
Përparim Rama paralajmëron themelimin e policisë së kryeqytetit

Me mbështetjen e Komunës së Prishtinës, edhe zyrtarisht sot është bërë ndërrimi i lokacionit të stacionit policor Veriu në Prishtinë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Stacioni policor Veriu, që ndodhej në lagjen “Kodra e Trimave”, në kryeqytet, është zhvendosur në objekt të ri në lagjen “Arbëria”, në rrugën “Toni Bler”.

Duke u bazuar me lokacionin e objektit dhe ri-definimin e zonave, kjo lagje do të kalojë nën administrim të stacionit policor Veriu.


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kushtet në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë kanë qenë të pafavorshme për punë, teksa shtoi se me caktimin e objektit me lokacion të ri, nuk do të thotë që tash është përfundimi i bashkëpunimit me policinë.

Kryetari Rama tha se janë duke punuar që Prishtina të ketë edhe policinë e kryeqytetit.


“Kam qenë vetë prezentë në stacionin policor në “Kodrën e Trimave”, kam parë kushtet të cilat kanë qenë jo të favorshme e mos të themi katastrofale. Prandaj, ndihemi krenar që jemi në objektin e ri, por nuk do të thotë që do të mbetet me kaq, por mendoj se është fillimi i bashkëpunimit tonë. Jemi në proces të krijimit të planit zhvillimor komunal, ku pritet të caktohen edhe pikat tjera për policinë e Kosovës. Lagja “Arbëria” përballet me sfida të ndryshme, mirëpo tash do të jetë edhe më e sigurt. Jemi duke punuar që Prishtina të ketë edhe policinë e kryeqytetit që t’i dalë në ndihmë policisë së Kosovës, që të ketë një siguri shtesë”, theksoi Rama.

(Kosova Sot Online)