Rizvanolli: Do ta ndihmojmë Telekom-in me 1 milion euro

  • A.P /
  • 29 November 2022 - 18:04
Rizvanolli: Do ta ndihmojmë Telekom-in me 1 milion euro

Do ta ndihmojmë Telekom-in me 1 milion euro për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës dhe një gjë e tillë po planifikohet në vijim, ka theksuar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Rizvanolli u shpreh se gjatë vitit të ardhshëm Vala do të bëhet e Kosovës, e jo e Monakos.

Pasditen e së martës, ministrja e Ekonomisë ka vizituar Telekom-in dhe është takuar me ushtruesen e detyrës së kryeshefes, Burbuqe Hana.


Rizvanolli u shpreh se kjo ndërmarrje është në proces të zëvendësimit rrënjësor të teknologjisë për telefoninë mobile.

“Për periudhën e menjëhershme jemi duke shikuar mundësitë që të ndihmojmë Telekom-in për të përballuar investimet kapitale për shtrirjen e rrjetit në komunat veriore të Kosovës. Në vlerë prej rreth 1 milion euro, kjo është diçka që do të tentojmë të bëjmë brenda javëve në vijim. Ndërsa, sa i përket vitit tjetër, po flasim për një shumë prej 13 milionë eurosh, e cila do të shfrytëzohet nga Telekom-i, sigurisht që këto duhet të kombinohen zyrtarisht dhe proceduralisht, mirëpo vullneti politik ekziston që Telekom-i të mbështetet me së paku 13 milionë euro për migrimin në kodin telefonik të Kosovës nga kodi i Monakos, si dhe modernizimin e rrjetit”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ajo ka thënë se Telekom-i po këndellet dhe shërbimet tani janë më të mira.

“Telekomi po këndellet edhe si kompani edhe si kolektiv i punëtorëve edhe si shërbim ndaj klientit. Menaxhimi me nikoqirllëk, angazhimi i secilës e secilit në krye me një menaxhment, i cili ka dalë nga vet radhët e Telekom-it, dialogu social brenda ndërmarrjes po na sjell perspektiva të mira në këtë ndërmarrje me rëndësi strategjike për vendin tonë dhe me rol të rëndësishëm edhe në sigurinë e vendit. Në Telekom nuk ishte bërë asnjë investim në teknologji që nga viti 2015, po flasim për një teknologji, për një sektor ku gjërat ndryshojnë brenda muajve nganjëherë”, ka thënë ajo.

(Kosova Sot Online)